Qendra për Menaxhim me Kriza ka dhënë informacione rreth situatës pas reshjeve të dendura të shiut, përcjell TV21. Nga QMK thonë se nga vërshimet është prekur rajoni i Gostivarit, Kërçovës, Ohrit, Manastirit dhe Prespës.
Njoftim nga QMK:
Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, rruga lokale ndërmjet fshatrave Forinë dhe Tumçevisht, Komuna e Gostivarit, është e vështirë për ta kaluar. Për situatën janë njoftuar NJQV Gostivar dhe Stacioni Policor Çegran.
Është vërejtur edhe dalja nga shtrati i lumit Lakaviçka në fshatin Malo Turçan dhe e lumit Sushçka në fshatin Banjicë e Epërme, Komuna e Gostivarit. Për ngjarjet janë njoftuar institucionet dhe shërbimet kompetente për intervenim të shpejtë, të cilat po e ndjekin situatën në terren.
Rajoni i Ohrit dhe Kërçovës
Në Komunën e Ohrit janë evidentuar bodrume, garazhe dhe oborre të përmbytura në disa lokacione në qytet. Vetëqeverisja lokale dhe Shtabi i Krizës i Komunës së Ohrit janë njoftuar dhe po veprojnë sipas paraqitjeve. Lumi Daljan ka dalë nga shtrati në disa vende, duke përmbytur një numër të madh shtëpish, ndërsa shërbimet për intervenim të shpejtë janë të organizuara dhe në terren.
Në Komunën e Kërçovës, në rrugën “Prilepska”, janë përmbytur disa objekte banimi. Është kryer evakuimi i rreth 100 personave, të cilët janë strehuar në sallën sportive “Hristo Uzunov”. Në terren kanë intervenuar ekipet e Kryqit të Kuq, DMSH, QMK Kërçovë, Njësia Territoriale e Zjarrfikësve Kërçovë, NP Komunalec dhe Komuna e Kërçovës.
Personave të evakuuar u janë siguruar ushqim, ujë, shtretër, dyshekë dhe batanije.
Janë regjistruar gjithashtu dalje nga shtrati të lumit Zajashka në zonën mbi stadiumin “Vllazërimi” dhe shkollën e re “Sande Shterjoski”, si dhe dalje nga shtrati e lumit Treska në tokë bujqësore në rrethinat e fshatrave Bigor Dolencë, Vranesht dhe zonat përreth.
Rajoni i Manastirit dhe Prespës
Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut është vërejtur rritje e nivelit të ujit në lumenj dhe dalje nga shtrati e disa rrjedhave ujore, me ç’rast janë përmbytur një numër i madh shtëpish dhe oborresh. Në ora 09:00 është caktuar një takim i Shtabit të Krizës të Komunës së Manastirit, me qëllim përcaktimin e prioriteteve dhe koordinimin e aktiviteteve në terren.


