Prokuroria kërkon paraburgim për një 26-vjeçar nga Shkupi, pasi në veturën që po voziste, janë gjetur 10 kilogramë kokainë. Ndërkaq, në njoftimin e Policisë, bëhet e ditur se bëhet fjalë për personin me iniciale I.E. nga Shkupi, i cili fillimisht ishte ndaluar për kontroll në fshatin Koliçan të Epërm më datë 31.12.2025, në ora 14:30, ndërsa më pas i është marrë vetura për kontroll të mëtutjeshëm, ndërsa droga ishte gjetur më 1 janar nga Policia. Nga Prokuroria thonë se duke qenë se bëhet fjalë për një sasi të madhe droge, janë lëshuar disa urdhra për të hetuar origjinën e kokainës, destinacionin përfundimtar dhe për të identifikuar personat e tjerë të përfshirë.
“Në një aksion të koordinuar mes Prokurorisë Themelore Publike Shkup dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjatë ditës së djeshme u zbuluan 10 kilogramë kokainë me pastërti të lartë, të fshehur në një automjet BMW X5 me targa të Shkupit. Automjeti u ndalua në fshatin Koliçan i Epërm, pas çka prokurori, me urdhër të gjykatësit të procedurë paraprake, siguroi leje për bastisje të detajuar. Në një bunker të improvizuar në pjesën e poshtme të automjetit u gjet droga. Prokuroria Themelore Publike Shkup ka nisur hetime ndaj 26-vjeçarit që drejtonte automjetin për veprën penale – Prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e lëndëve narkotike, substancave psikotropike dhe prekursorëve, sipas nenit 215, paragrafi 1 të Kodit Penal”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Prokurorisë.


