Antonio Conte u shfaq shumë i lumtur dhe krenar pas fitores 2-1 të Napolit ndaj Juventusit, një ndeshje që skuadra e tij e dominoi edhe pse po kalon një periudhë me shumë lëndime. Ai tha se lojtarët po bëjnë gjëra të jashtëzakonshme dhe po tregojnë karakter të madh, duke marrë përgjegjësi në një moment tepër të vështirë.
Juventusi shënoi me të vetmen goditje në portë, por Napoli reagoi dhe Rasmus Hojlund shënoi dy gola, duke i dhënë fund mungesës së tij të gjatë të realizimeve. Conte theksoi edhe lojën e mirë të McTominay dhe Eljif Elmas, ndërsa tregoi se Lobotka do të mungojë rreth dy javë për shkak të një problemi muskulor.
Me këtë fitore, Napoli e mbyll vitin 2025 pa humbje në shtëpi në Serie A, për herë të parë që nga viti 1987, dhe Juventusin e mund për herë të shtatë radhazi në kampionat. Conte tha se ekipi i tij po fiton energji nga uniteti, dëshira dhe sakrifica e lojtarëve, duke kaluar me sukses një seri ndeshjesh të vështira kundër Atalantës, Romës dhe Juventusit.
Trajneri shpreson që skuadra të pushojë disa ditë, pasi i pret udhëtimi në Portugali për ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Benfikës, një sfidë që do të kërkojë përgatitje të kujdesshme për shkak të lodhjes së madhe të lojtarëve.


