Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Afrim Gashi, ka mbajtur fjalim me rastin e zgjedhjes së kryetarit të ri të Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, Adem Çuçul. Gashi theksoi se korrupsioni nuk është thjesht shkelje ligjore, por një plagë e thellë shoqërore që prek jetën e çdo qytetari, që siç tha, i dobëson themelet e demokracisë dhe e frenon potencialin ekonomik.
“Është ajo dorë e padukshme që ua vjedh njerëzve të drejtat dhe shpresat. Për fat të keq, ky ves është edhe arsyeja kryesore pse mendjet tona më të ndritura e shohin të ardhmen e tyre larg vendit. Dhe, kjo nuk është më vetëm një perspektivë e kundrimit të realitetit, por një realitet i konstatuar në çdo raport ndërkombëtar dhe në çdo anketë vendore. Ndonëse politika supozohet ta përmirësojë jetën dhe ta ndërtojë të ardhmen, është fatkeqësi kur një vend arrin në atë pikë ku fjala “politikë” për shumë qytetarë asocon me fjalën “korrupsion””.
“Ky është indikator që nuk kemi të bëjmë më vetëm me një problem institucional, por më shumë me një plagë në kulturën shoqërore, një mentalitet të rrënjosur ndër vite me abuzime e zhgënjime. Dhe, përballë kësaj gjendjeje, nuk është e mjaftueshme që vetëm të reagojmë, por mbi të gjitha ne, të gjithë bashkë, duhet të reflektojmë, ta pranojmë hapur sfidën dhe të veprojmë me guxim. E, në këtë udhëkryq mes sfidimit dhe reformimi, më duhet të theksoj se Strategjia e re Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit 2026–2030 përbën një kthesë të domosdoshme”, tha Gashi.
Ai gjithashtu tha se se korrupsioni as nuk luftohet i vetëm dhe as vetëm me ligje e strategji.
“Korrupsioni luftohet me kulturë integriteti, me shembull personal, me përgjegjësi politike dhe me ndërgjegje mbarëqytetare. Ai luftohet dhe fitohet me refuzimin e indiferencës. Fjalën time e fillova duke e përshkruar gjendjen dhe pasojat ku na ka sjellë korrupsioni, ndërsa dua ta përfundoj me bindjen se korrupsioni lulëzon aty ku heshtja është normë dhe ku dorëzohemi para këtij fenomeni famëkeq dhe mentalitetit të vjetër të shtresuar”.
“Një aforizëm na kujton se “Korrupsioni është si orteku i borës: pasi nis të rrotullohet, mund veç të rritet.”. Por, aty ku shoqëria ngrihet, ku institucionet marrin përgjegjësi dhe ku qytetari refuzon ta pranojë padrejtësinë si fat, kjo është pika ku orteku fillon të shkrihet”, tha Gashi.


