Qeveria ruse ka shtuar materiale të reja për pajisje elektronike-optike në listën e mallrave me përdorim të dyfishtë, eksporti i të cilave në vendet që Moska i konsideron armiqësore është i ndaluar. Sipas njoftimit, qëllimi është të parandalohet përdorimi i këtyre materialeve për nevojat e ushtrisë ukrainase, raportojnë mediat ruse.
Ndalimi përfshin tetë përbërës dhe materiale kimike: niobat litiumi, teluridin e zinkut, granatën e gadoliniumit-galiumit, arsenurin e galiumit, fosfidin e galiumit, pllaka kuarci të përpunuara dhe të papërpunuara, si dhe prizma të lëmuara të oksidit të teluriumit.
Siç thuhet në shpjegim, këto materiale janë “të kërkuara në prodhimin e pajisjeve elektro-optike për sistemet ushtarake – pajisje shënjestrimi, pajisje shikimi natën dhe teknologji të tjera që, ndër të tjera, përdoren nga forcat e armatosura ukrainase në zonën e konfliktit”.
Kufizime shumëvjeçare
Rusia e prezantoi listën e kufizimeve në mars të vitit 2022 dhe që atëherë e ka zgjeruar atë disa herë. Ndalimi është i vlefshëm deri në fund të vitit 2027.
Aktualisht, më shumë se 250 artikuj janë të ndaluar për eksport – nga dylbitë dhe pjesët e specializuara për pajisjet optike, te helikopterët dhe një numër lëndësh të para, përfshirë drurin e papërpunuar.
Cilat vende janë në listë?
Lista e vendeve armiqësore ndaj të cilave Rusia ndalon eksportet përfshin Maqedoninë, Shtetet e Bashkuara, Ukrainën, vendet e Bashkimit Evropian, Mbretërinë e Bashkuar dhe territoret e saj, Australinë, Shqipërinë, Andorrën, Bahamas, Islandën, Kanadanë, Lihtenshtajnin, Mikronezinë, Monakon, Zelandën e Re, Norvegjinë, Korenë e Jugut, San Marinon, Singaporin, Tajvanin, Malin e Zi, Zvicrën dhe Japoninë.


