Qytetarët pritet që nga muaji janar të përballen me një rritje prej rreth 5% të çmimit të energjisë elektrike. EMV, në tenderin e Furnizuesit Universal “EVN Home”, ka paraqitur ofertë prej 65 euro për megavat-orë për të mbuluar 100% të nevojave të planifikuara të energjisë për familjet dhe konsumatorët e vegjël gjatë vitit 2026.
Çmimi përfundimtar i rrymës varet kryesisht nga oferta e centraleve shtetërore në tenderin e Furnizuesit Universal. Deri tani, EMV energjinë për kategoritë e vogla e ka shitur për 62 euro për megavat-orë. Nga “EVN Home” bëjnë të ditur se këtë herë është dorëzuar vetëm një ofertë, e cila është 4.84% më e lartë krahasuar me tenderin e kaluar.
Deri në fund të muajit, Komisioni Rregullator për Energjetikë pritet të marrë vendimin përfundimtar për çmimin e ri të transmetimit dhe shpërndarjes, megjithëse nuk priten ndryshime të mëdha në këto tarifa.


