Nuk ka politika kombëtare të suksesshme pa përfshirjen e sektorit civil në krijimin e tyre. Për
qeverinë aktuale, kjo nuk ka dyshim dhe për këtë arsye është parim thelbësor i punës, tha
ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska, në panel diskutimin të dedikuar
arsimit, në kuadër të Forumit Kombëtar për Bashkëpunim midis sektorit qeveritar dhe
joqeveritar, i cili organizohet për herë të dytë radhazi nga Qeveria dhe Civika Mobilitas.
“Kontributi i organizatave qytetare është jashtëzakonisht i rëndësishëm në avancimin e
deritanishëm të legjislacionit, në definimin e masave sistematike, projekteve dhe aktiviteteve,
në rritjen e vetëdijes për tema dhe çështje të caktuara si multikulturalizmi, toleranca,
respektimi i diversiteteve etj. Do ta zhvillojmë këtë marrëdhënie, sepse sektori civil është ai
që i vë re fillimisht sfidat dhe anomali, prandaj gjithmonë ka propozimet më të shumta dhe
më të qëndrueshme që mund të integrohen në politikat e Ministrisë”, theksoi Janevska.
Gjatë takimit me përfaqësuesit e organizatave të shoqërive civile, Janevska iu përgjigj disa
pyetjeve lidhur me situatën aktuale në arsim. E pyetur se kur do të përgatitet Ligji i ri për
Arsimin e Lartë, ajo tha se pret që kjo të ndodhë deri në fund të vitit.
“Qeveria e kaluar miratoi zgjidhje ligjore shumë më të keqe se ajo që ekzistonte deri atëherë.
Shkurtuan shumë të drejta të studentëve, e bënë më të lehtë lëvizjen e kuadrit mësimdhënës
dhe shkencor, por me këtë ulën cilësinë e arsimit të lartë. Ne tani po përdorim qasje të vërtetë
inkluzive – formuam trup koordinues kombëtar për reforma dhe përmes tij po përgatitet Ligj i
ri për Arsimin e Lartë, si dhe për Veprimtarinë Kërkimore-Shkencore. Profesorët dhe
studentët do të thonë se çfarë është e mirë dhe çfarë nuk është. Më pas do të pasojë diskutim
publik përmes ENER-it dhe në Kuvend, për të qenë të sigurt që ka konsensus midis të gjitha
palëve”, tha ministrja.
Gjithashtu informoi se edhe Strategjia për Arsimin 2026-2032 është në fazën përfundimtare
të hartimit. Në proces janë të përfshira më shumë institucione dhe organizata vendore dhe
ndërkombëtare, ndërsa versioni më i mirë që do të plotësojë strategjinë e mëparshme, do të
fokusohet në sfidat e pazgjidhura, por edhe në ndjekjen e trendeve dhe standardeve globale të
reja.
Duke vlerësuar nivelin e inkluzivitetit të sistemit arsimor kombëtar, ministrja u shpreh se në
këtë segment ka pasur përparim të dukshëm gjatë 18 muajve të fundit, gjatë të cilëve është
angazhuar numër rekord i asistentëve arsimorë në arsimin fillor, por edhe për herë të parë në
arsimin e mesëm, ndërsa janë themeluar shkolla të mesme shtetërore me qendra burimore që
u ofrojnë ndihmë të gjitha shkollave të tjera ku janë të regjistruar nxënës me nevoja të veçanta arsimore


