Kryeprokurori i Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, Islam Abazi, ka bërë të ditur se brenda 10 ditëve pritet të ngrihet aktakuza edhe ndaj pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme – konkretisht policëve – të përfshirë në rastin e diskotekës “Puls” në Koçan.
Abazi tha se në këtë fazë të hetimeve janë dëgjuar të gjithë të akuzuarit dhe dëshmitarët, ndërsa javën e kaluar është marrë në pyetje edhe i akuzuari i fundit. Sipas tij, palët tashmë janë njoftuar për përfundimin e hetimeve.
“Janë dëgjuar të gjithë të akuzuarit dhe janë siguruar të gjitha dëshmitë. Presim që për dhjetë ditë, pasi të analizohen provat e reja dhe deklaratat e dhëna, të merret vendimi i Prokurorisë Publike”, deklaroi Abazi.
Ai theksoi se janë mbledhur të gjitha dëshmitë materiale që nga viti 2012 e deri në ditën e ngjarjes tragjike. Hetimet, sipas tij, po fokusohen në identifikimin e lëshimeve dhe mosveprimeve të zyrtarëve policorë që kanë pasur autorizime në këtë rast.
“Hetimi po zhvillohet në drejtim të evidentimit të çdo lëshimi nga zyrtarët policorë. Të gjitha këto do të paraqiten në aktakuzë”, u shpreh kryeprokurori.


