Ministria e Punëve të Brendshme, njofton se 5 persona janë arrestuar për shkak të keqpërdorimit të pozitës dhe autorizimit zyrtar. Bëhet fjalë për personat me inicialet N.R. (51) nga Kumanova, ish-drejtor i Ndërmarrjes Publike për Punë të Bursës “Agro Berza” Shkup, R.A. (61) nga Tetova, ish-drejtor i Agjencisë për Rezerva Shtetërore të Mallrave Shkup, T.K. (55) nga Shkupi, ish-udhëheqës në Agjencinë për Rezerva të Mallrave Shkup, T.D. (58) nga Kumanova, ish-zëvendësministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave dhe këshilltar shtetëror gjatë periudhës 2021–2022, si dhe M.P. (68) nga Shkupi, person i angazhuar si ekspert.
Personat e dyshuar e kanë kryer veprën në atë mënyrë që N.R., R.A., T.K. dhe T.D., në cilësinë e personave të autorizuar, e kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare duke mos e përmbushur obligimin për ta njoftuar Qeverinë e RMV-së për gjendjen faktike në Ndërmarrjen Publike për Punë Bursiere “Agro Berza” Shkup, domethënë për ekzistimin e një mungese të paarsyeshme të grurit dhe elbit në periudhën 2019–2021
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
“Ekspertiza është bashkëngjitur në informacionin drejtuar Qeverisë dhe është pranuar nga ajo, me ç’rast Agjencia për Rezervat e Mallrave është ngarkuar të kryejë shkrimin e 1.500 tonëve grurë dhe 500 tonëve elb për ushqim blegtoral, me vlerë totale prej 29.112.000 denarë ose 473.365 euro. Sipas çmimeve të blerjes së vitit 2022, vlera arrinte në 48.000.000 denarë ose 780.487 euro, e cila përbën dëm ndaj Buxhetit të RMV-së”.
Rastin e konfirmojnë edhe nga Prokuroria Themelore Publike, nga ku thonë se tani më ata kanë iniciuar procedurë ndaj pesë personave për shkak të dyshimit të bazuar se si bashkëkryes kanë kryer veprën penale – Keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar, sipas nenit 353 paragrafi 5 lidhur me paragrafët 4 dhe 1 të Kodit Penal.
PROKURORIA THEMELORE PUBLIKE
“Duke marrë parasysh se bëhet fjalë për vepër që ndiqet në procedurë të shkurtuar, prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masave të kujdesit – marrje të pasaportës dhe paraqitje të rregullt në gjykatë për të gjithë të dyshuarit”.
Nga Prokuroria theksohet se ekziston dyshim i bazuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe dorëzim të të dhënave të pasakta, duke shkaktuar dëm të konsiderueshëm financiar ndaj Buxhetit të RMV-së. Prokuroria ka kërkuar masa kujdesi për të gjithë të dyshuarit, me qëllim të sigurimit të mbarëvajtjes së hetimit dhe parandalimit të ndikimit në procesin penal.
Samir Mustafa /SHENJA/


