Hetimi në të cilin dyshohet ish-zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi është pothuajse i përfunduar, pritet vetëm ekstradimi i tij. Kështu tha prokurori publik i RMV-së, Ljupço Kocevski, në një paraqitje të ftuar në emisionin 360 Gradë, transmeton Portalb.mk.
Sipas tij, të gjitha provat janë mbledhur, ka edhe hetim financiar, por ata nuk kanë informacion për vendndodhjen e Grubit sepse kjo nuk është juridiksion i Prokurorisë.
Kur u pyet nëse Prokuroria Publike po bën çmos në luftën kundër korrupsionit, duke marrë parasysh akuzat e tilla në dokumentin e KE së, Kocevski tha se ata po bëjnë çmos.
“Prokuroria po bën më shumë se çmos. Më besoni, sepse publiku e di se me çfarë lloj rastesh po përballemi, me çfarë lloj korrupsioni të nivelit të lartë po përballemi…”.
Ai gjithashtu thotë se Ministria e Brendshme ka ngritur rreth 14,000 kallëzime, dhe atë fluks e zgjidh Prokuroria Publike.
Lidhur me akuzat ndaj prokurorisë nga Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski se Ministria e Brendshme ngre kallëzime penale, dhe Prokuroria Publike vepron në mënyrë selektive mbi to, Kocevski tha se sipas informacioneve të tij, Prokuroria Publike nuk vepron fare në mënyrë selektive, dhe provë për këtë është rasti i fundit në Koçan, ku ata punuan mbi kallëzime penale nga Ministria e Brendshme.
“Nuk po flas për paraqitjet e këtij viti, por për fluksin e përgjithshëm. Tani, duke marrë parasysh institucionet e tjera, individët që kanë ngritur kallëzime penale e kështu me radhë, kjo është diku mbi 20,000. Që do të thotë se me kapacitetin aktual të prokurorëve publikë – rreth 70 më pak, dhe më parë kishte rreth njëqind prokurorë publikë më pak – Prokuroria Publike po punon vërtet brenda aftësive të saj, madje edhe më shumë”, thotë ai. Kocevski hedh poshtë selektivitetin në veprimet e tij dhe thotë se Prokuroria Publike merr vendime bazuar në provat e mbledhura.
Kujtojmë se, Grubi kërkohet me fletarrest ndërkombëtar së bashku me ish drejtorin e Lotarisë Shtetërore Përparim Bajramin, për rastin ‘Lotaria’. Atyre u është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë. Që të dy dyshohen se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej mbi 8.2 milion euro. Ata ngarkohen për veprën penale “mashtrim në shërbim” sipas nenit 354 të kodit penal, që parashikon dënim me të paktën katër vjet burg.
Në fund të vitit 2024, Artan Grubi së bashku me gjykatësin Enver Bexheti u futën në Listën e Zezë Amerikane për korrupsion dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore për të shpëtuar Sasho Mijallkovin.


