Mbrëmja solemne e Ditës së Alfabetit në Manastir ka nxjerrë në pah një tjetër çështje të rëndë protokollare, që ka shkaktuar reagime të forta nga zyrtarë dhe figura publike shqiptare.
Raportimet e dala publikisht thonë se Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, është lënë nën nivelin e duhur të përfaqësimit shtetëror gjatë aktiviteteve të Ditës së Alfabetit. Në mungesë të respektit protokollar, ai ka zgjedhur të mos marrë pjesë në mbrëmjen solemne – një veprim që shumë e shohin si reagim dinjitoz, jo si bojkot.
Në mbështetje të ambasadorit ka dalë edhe Krenar Lloga, i cili në një reagim të drejtpërdrejtë u shpreh:
“Kur do e kuptojnë këta që Ambasadori i Shqipërisë nuk është garniturë.”
Ky qëndrim ka gjetur përkrahje të gjerë mes qytetarëve, të cilët kërkojnë që figurat diplomatike të trajtohen me respektin dhe protokollin që u takon, sidomos në aktivitete me simbolikë kombëtare.
Për shumëkënd, mosrespekti institucional ndaj ambasadorit të Shqipërisë nuk është thjesht gabim teknik, por shenjë e mungesës së seriozitetit shtetëror. Ndërsa qëndrimi i ambasadorit dhe reagimi i Krenar Llogës janë parë si një mesazh i qartë se dinjiteti dhe protokolli diplomatik nuk janë opsionale.


