Trajneri i Italisë, Xhenaro Gatuzo nuk përdor rrotullime fjalësh për të komentuar humbjen 1-4 ndaj Norvegjisë në ndeshjen e fundit të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026.
“Dua t’u kërkoj ndjesë tifozëve tanë, 4-1 është një rezultat i rëndë. Më vjen keq sepse pas një pjese të parë shumë të mirë, prej një skuadre të vërtetë, u përmbysëm” – tha fillimisht trajneri i Italisë për Rai Sport.
“Zhgënjimi më i madh është pjesa e dytë: do të shërojmë plagët dhe komplimente për ta. Duhet të marrim atë që bëmë në pjesën e parë, skuadra tregoi vlerë, por në pjesën e dytë vuajtëm shumë.”
Tani, në mars, të kaltrit i pret faza play-off, shansi i fundit për të shmangur mungesën në Kupën e Botës për të tretin edicion radhazi.
“Do të nis nga pjesa e parë, aty luajtëm si skuadër, kompaktë,” – shtoi Gatuzo. “Duhet të përmirësohemi. Ndeshja ndryshoi kur ata bënë goditjen e parë në portë në pjesën e dytë dhe ne u frikësuam.”
Më pas, për Sky Sport, ai vijoi: “Koha është e pakët, duhet të punojmë mbi brishtësitë tona. Është e lehtë të flasësh për mungesat, por ata që ishin në fushë dhanë gjithçka. Doli një ndeshje që nuk e prisnim. E dinim që Norvegjisë nuk mund t’i lësh hapësira, dhe pikërisht kjo ndodhi. Do të gjejmë një zgjidhje, kemi dëshirë të luajmë gjysmëfinalen, të kalojmë, të shkojmë në finale dhe të arrijmë Botërorin. Pas kësaj mbrëmjeje ka shumë zhgënjim. Kërkojmë falje: të humbësh 4-1 në San Siro nuk është kurrë e bukur. Shpresojmë të përmirësojmë aspektet ku sot patëm vështirësi”, u shpreh Gatuzo.


