Rrjeti i lajmeve BBC i ka kërkuar falje presidentit të SHBA-së, Donald Trump, montimin e fjalimit të tij, por refuzoi kërkesën për kompensim.
Korporata ka thënë se ajo ndërhyrje ka dhënë “përshtypjen e gabuar se presidenti Trump ka bërë thirrje direkte për veprime të dhunshme” dhe ka thënë se nuk do ta shfaqë më atë program, raporton BBC.
Avokatët e Trump kanë kërcënuar se do ta padisin BBC-në duke kërkuar kompensim 1 miliard dollarë nëse korporata nuk bën tërheqjen, nuk kërkon falje dhe nuk e kompenson presidentin amerikan.
Kjo ngjarje ka çuar te dorëheqjet e drejtorit të përgjithshëm të BBC-së, Tim Davie dhe drejtoreshës së informacionit Deborah Turness.
Falaj nga ana e BBC erdhi pasi një video e dytë e ngjashme e edituar, e transmetuar në Newsnight më 2022, u publikua nga “Daily Telegraph”.
Të enjten mbrëma, BBC-ja ka thënë se programi Panorama është rishikuar pas kritikave se si është edituar fjalimi i Trump.
“Ne e pranojmë se editimi ynë pa qëllimshëm ka krijuar përshtypjen se po transmetojmë një fjalim të vetëm, e jo pjesë të ndryshme të fjalimit, dhe ka dhënë përshtypjen e gabuar se presidenti Trump ka bërë thirrje direkte për veprime të dhunshme”, thuhet në sqarimin.
Avokatët e BBC-së i kanë shkruar ekipit ligjor të Trump në përgjigje ndaj letrës që u pranua të dielën.
“Kreu i BBC-së, Samir Shah, personalisht ka dërguar letër te Shtëpia e Bardhë duke ia bërë të qartë presidentit Trump se ai dhe korporata shprehin keqardhje për editimin e fjalimit të presidentit të 6 janarit të vitit 2021, që është shfaqur në program”, ka thënë një zëdhënës i BBC-së.


