Një shtetas grek, pronar i një qeni të racës pit bull, një shtetas kosovar, pronar i një qeni të racës american stafford, si dhe dy shtetas maqedonas si bashkëorganizatorë, do të përballen me akuza për veprën penale “vrasje dhe torturë ndaj kafshëve”, sipas nenit 233 paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.
Prokuroria Themelore Publike në Manastir ka mbledhur të gjitha provat e nevojshme dhe ka ngritur aktakuzë, pasi më 1 nëntor, në fshatin Crneec, afër Strezhevës, të dyshuarit — për përfitime materiale — kishin keqpërdorur mizorisht dhe kishin ekspozuar ndaj vuajtjeve të panevojshme qentë e tyre
I akuzuari i parë kishte organizuar një përleshje midis dy qenve në oborrin e shtëpisë së dytë të akuzuarit, i cili më parë kishte përgatitur një “ring” për zhvillimin e ndeshjes. Ngjarjen e kishin ndjekur edhe persona nga Kosova, Greqia dhe Maqedonia, të cilët policia i gjeti në vendngjarje me shuma parash në euro dhe denarë, të destinuara për baste.
Si pasojë e luftës, qeni pit bull pësoi lëndime shumë të rënda, me plagë të shumta kafshimi, dëmtime në kokë dhe shenja të qarta tronditjeje traumatike.
Provat e siguruara deri tani tregojnë se bëhet fjalë për veprimtari të organizuar, me ring të posaçëm për ndeshje qenësh, ku janë gjetur edhe gjurmë të mëparshme luftimesh dhe ilaçe për trajtimin e plagëve të kafshëve.
Prokurori publik ka paraqitur në Gjykatën Themelore të Manastirit kërkesë për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak për dy shtetasit maqedonas. Nëse dy shtetasit e huaj, që ndodhen në arrati që nga momenti i krimit, nuk kapen para fillimit të procesit gjyqësor, prokuroria do të kërkojë gjykim në mungesë.


