Para fillimit të dimrit dhe kulmit të sezonit të ngrohjes, akumulimet dhe hidrocentralet në Maqedoni janë nën nivel. Thatësira dhe sasia e vogël e reshjeve janë arsyeja kryesore për këtë, megjithëse ato mund të kontribuojnë ndjeshëm në prodhimin e energjisë elektrike.
Nga EMV për “Alsat” thonë se në këtë periudhë të vitit vetëm 25% e energjisë elektrike të prodhuar sigurohet nga hidrocentralet.
Por, pavarësisht gjendjes së keqe me hidro potencialin, nga EMV sigurojnë se sistemi energjetik është i qëndrueshëm.
“Sipas të gjitha treguesve, ai cikël i thatësisë duhet të përfundojë vitin e ardhshëm, ku presim përmirësim të ndjeshëm të gjendjes hidrologjike me rritje të reshjeve dhe rritje të prodhimit të energjisë hidro në nivel vjetor. Presim që mesataret vjetore të rriten mbi 25%, me ç’rast do të përmirësohet ndjeshëm prodhimi i energjisë elektrike”, deklaroi Llazo Uzunçev, Drejtor i përgjithshëm i EMV-së.
“Këtë vit, sipas bilancit dhe planit energjetik, kemi prodhim më të ulët për rreth 40%, për shkak të vitit me kushte hidrologjike të dobëta. Prodhimi është zvogëluar dhe punojmë ekskluzivisht vetëm për balancimin e sistemit elektro-energjetik nacional, vetëm në ato pika kur është më e nevojshme; përndryshe kursejmë ujin, që të mos vijë deri te tharja e shtratit”, tha Goce Bozhinovski – drejtor i HEC “Drini i Zi”.
Nga EMV shtojnë se energjia e akumuluar në akumulime është 124 GWh, që paraqet mbushje të akumulimeve prej vetëm 21%. Gjendja është e keqe kudo. Në HEC Mavrovë janë akumuluar 82 GWh ose mbushje prej 22%, në Shpilje janë akumuluar 4,5 GWh ose mbushje prej 10%, Liqeni i Ohrit dhe Globoçica kanë akumuluar 7 GWh ose mbushje prej 12%, HEC Tikvesh ka akumuluar 13,5 GWh ose mbushje prej 22% dhe HEC Kozjak ka akumuluar 17 GWh ose mbushje prej 28%. /Alsat/


