Ndërsa kryetari i Komunës së Tetovës u zgjodh në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale, sot janë certifikuar këshilltarët komunal që mandatin e tyre e fituan më 19 tetor, respektivisht në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale.
Albi Qamili që në zgjedhjet lokale i priu listës së këshilltarëve të koalicionit VLEN në këtë komunë, ka shprehur mirënjohje për qytetarët që i dhanë besimin listës së këshillarëve të VLEN-it për t’i përfaqësuar në Këshillin Komunal, duke theksuar angazhimin për të qenë në shërbim të interesit publik.
Qamili ka deklaruar se VLEN e ka shumicën në këshill, megjithatë ka deklaruar se janë të hapur për bashkëpunim me të gjitha listat që do të shfaqin interes.
ALBI QAMILI, KËSHILLTAR KOMUNAL – VLEN
“Shfrytëzoj rastin të falënderoj të gjithë qytetarët që vlerësuan programin dhe ofertën tonë dhe na dhanë besimin që ne të jemi zëri i tyre në këshillin Komunal. Ne këshilltarët e VLEN-it së bashku me kryetarin Bilall Kasami do të jemi në shërbim të qytetarëve në shërbim të interesit publik”
Pas certifikimit të këshilltarëve, foli edhe Asaf Aburamani që i priu listës së këshilltarëve të AKI-së në zgjedhjet lokale. Tha se do të veprojnë si opozitë konstruktive dhe nuk kanë pasur as nuk kanë për qëllim të jenë opozitë destruktive.
ASAF ABDURAMANI – KËSHILLTAR KOMUNAL- AKI
“Do t’i përkrahim të gjitha projektet që do të kenë sqarim adekuat dhe do të jenë edhe adekuate për qytetarët tonë, do të jenë konstruktive për qytetin tonë, asnjëherë nuk e kemi në plan dhe nuk e kemi pasë në plan që të jemi një konfiguracion destruktiv”
VLEN në këshillin komunal në Tetovë do të përfaqësohet nga 13 këshilltarë, AKI në përbërjen e re të këshillit ka siguruar 12 këshilltarë, tre këshilltarë do të ketë VMRO-ja, ndërsa nga një këshilltar në këtë përbërje do të kenë LSDM-ja dhe Levica dhe Iniciativa Qytetare “Mirë për Tetovën”.
Mevludin Imeri /SHENJA/


