Prania e shtuar e policisë, kontrollet dhe koordinimi i vazhdueshëm me komisionet zgjedhore – janë pjesë e masave që Ministria e Brendshme po ndërmerr në pritje të zgjedhjeve lokale 2025.
Në ditën e zgjedhjeve, policët do të vendosen pranë qendrave të votimit dhe pikave kyçe të trafikut, me qëllim zbulimin dhe parandalimin në kohë të shkeljeve të mundshme të rendit dhe qetësisë publike. Ministria e Brendshme siguron se të gjitha aktivitetet synojnë zhvillim të sigurt dhe paqësor të procesit zgjedhor.
“Siguria e qytetarëve do të garantohet me mjete standarde materiale dhe teknike, ekipe mobile dhe operacione kontrolli, si dhe do të përdoret teknologji moderne – dronë për kontroll ajror me qëllim reagimin më të shpejtë dhe ndërmarrjen e masave dhe aktiviteteve të duhura në rast të incidenteve”, deklalroi Goce Andreevski – zëdhënës i Ministrisë së Brendshme
Ministria e Brendshme u bën thirrje të gjithë qytetarëve, subjekteve politike dhe pjesëmarrësve në procesin zgjedhor të kontribuojnë në atmosferë zgjedhore të drejtë, demokratike dhe të sigurt. Ata shtojnë se gjatë ditës së zgjedhjeve, do ta informojnë publikun në mënyrë të përshtatshme për zhvillimin e procesit zgjedhor.
Edhe Prokuroria publike njoftoi gjithashtu se ka formuar komision të përkohshëm që do të monitorojë veprat e mundshme penale që lidhen me procesin zgjedhor, si në periudhën parazgjedhore ashtu edhe në ditën e zgjedhjeve. Prokuroritë në të gjithë vendin kanë rritur numrin e prokurorëve kujdestarë të cilët do të veprojnë me prioritet mbi të gjitha denoncimet. /Alsat.mk