Arrestohet në Tiranë, në zonën e Liqenit të Thatë Aldo (Elidon)Avdylaj, nipi i Astrit Avdylajt.
Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala.
Aldo Avdylaj ishte shpallur në kërkim për organizimin e atentatit ndaj Edmir Bregut. Ai del në përgjime ku thotë: Unë vras 10 vetë nëse thua ti.
Sipas hetimeve të SPAK, kjo ngjarje dyshohet të jetë një vrasje për hakmarrje, me lidhje të drejtpërdrejta me grupin e njohur të Avdylajve.
Lala raportoi se motivi i vrasjes vjen pas një përplasjeje të fortë mes grupeve kriminale. Nipi i Astrit Avdylit, Aldo Avdyli, ishte vendosur më herët në shënjestër për t’u eliminuar dhe dyshohet se pas kësaj qëndronte vetë Edmir Bregu.
Në shenjë hakmarrjeje, Astrit Avdyli, një emër i njohur i botës së krimit që ka dalë edhe në përgjime me ish-kryebashkiakun Vangjush Dako, ka urdhëruar eliminimin e Bregut.
Në këtë skemë, sipas SPAK, Enea Kume ka luajtur rolin e informatorit të grupit kriminal. Ai dyshohet se ka dhënë informacion për lëvizjet e Edmir Bregut, duke ndihmuar në përgatitjen dhe realizimin e atentatit. Për këtë arsye, ai është arrestuar si i përfshirë në një grup të strukturuar kriminal, që vepronte me qëllim eliminimin fizik të kundërshtarëve.
Për ekzekutimin e Bregut, rolin e vrasësit dyshohet ta ketë pasur Alfred Doka, i cili besohet se ka vepruar kundrejt një pagese.