Kandidati për kryetar të Çairit, Izet Mexhiti, ka njoftuar sot se ka pranuar ftesën për një debat në TV21. Ai theksoi:
“Për fat të keq, më njoftuan se Bujar Osmani ka refuzuar. Prandaj sonte, nga ora 21:00, do të më ndiqni në një intervistë në TV21. Por ftesa mbetet: Bujar, mos u frikëso. Guxo. Demokracia do të thotë të përballesh para qytetarëve, jo të fshihesh. Demokracia do të thotë t’i lejosh qytetarët t’i dëgjojnë vizionet e ndryshme, jo të kufizohesh në kornizat që vetë i ke vendosur. Eja në debat, Bujar. Qytetarët meritojnë një debat të vërtetë.”
Ndërkohë, kundërshtari i tij, Bujar Osmani nga AKI, ka reaguar menjëherë. Ai theksoi:
“Kundërshtari im pesë herë refuzoi të dalë në debat. Pesë herë iku nga përballja me mua. Vetëm pasi dola publikisht dhe thashë se ai po i ik qytetarëve, u frikësua nga reagimi dhe doli me një ftesë të vonuar në një televizion. Por e vërteta është e qartë: unë tashmë kam konfirmuar dy debate për ditët në vijim, një në gjuhën shqipe dhe një në gjuhën maqedonase, dhe të dy janë caktuar me kohë. Ai e dinte këtë, prandaj tani po përpiqet të krijojë konfuzion, për të dalë sikur unë po e shmang. Në fakt, ai po përpiqet të keqpërdorë emrin e një televizioni si justifikim që të mos paraqitet në dy debatet që i presin. Kush ka guxim, del përballë. Kush ka frikë, fshihet pas kamerave dhe manipulimeve.”
Tensioni mes kandidatëve tregon se debatet e ardhshme pritet të jenë vendimtare për qytetarët e Çairit.(INA)