Kandidati për kryetar të Shkupit Orce Gjeorgjievski, ka paralajmëruar ndërtimin urgjent të një Luna Parku modern, të përshtatshëm për të gjitha brezat, me rollercoastera, atraksione ujore, lojëra interaktive dhe zona të realitetit virtual.
Projekti parashikon gjithashtu qasje të plotë për persona me aftësi të kufizuara, hapësira për ngjarje kulturore dhe art rrugor, duke e kthyer Shkupin në një qendër të re turistike.
Në të njëjtën kohë, do të fillojë rinovimi i plotë i Kopshtit Zoologjik të Shkupit, me kushte më të mira për kafshët dhe vizitorët, pompa termike për ngrohje, sistem sigurie, qendër hipoterapie për fëmijët me autizëm dhe paralizë cerebrale, si dhe sistem digjital pagesash përmes Skopje City GO.
“Këto nuk janë luks, por investime në fëmijëri, familje dhe të ardhmen e Shkupit”, theksoi ai, duke shtuar se qyteti do të bëhet sërish një vend ku çdo fëmijë rritet me buzëqeshje.