Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk do të votojë asnjë kandidat për nënkryetar nga pakicat serbe. Para fillimit të seancës konstituive, deputetja Time Kadrijaj tha se “ata që e kanë bllokuar këtë situatë le ta zhbllokojnë”.
Ajo deklaroi para gazetarëve se qëllimi i Lëvizjes Vetëvendosje në vazhdimësi ka qenë të mos konstituohet kuvendi.
Kadrijaj: Qëllimi i Lëvizjes Vetëvendosje ka qenë të mos konstituohet kuvendi
“Ne e kemi ditur që do të vijmë në këtë situatë të bllokadës sepse qëllimi i Lëvizjes Vetëvendosje në vazhdimësi ka qenë që të mos konstituohet kuvendi dhe ju e dini që nuk e ka bërë minimumin e përpjekjeve për sigurimin e votave për kryeparlamentar. Ne kemi dashur t’i japim një epilog për të kaluar këtë situatë dhe ju e keni parë që në mënyrë arbitrare, pa një mocion, pa marrëveshje, është ndarë votimi i nënkryetarëve të komunitetit jo-shumicë sepse zakonisht sikurse nënkryetarët e shumicës votohen në bllok, është ndarë pa konsultim në mënyrë që të shkakton këto kauza që i ka Albini. Sepse duke qenë që jemi në prag të zgjedhjeve Albini po mundohet me këto kauza të rikthejë ndonjë komunë apo të mbajë ndonjë komunë, krejt kjo për poena politik. Tash është detyra e atyre që e kanë bllokuar që ta zhbllokojnë”, deklaroi ajo.
Nënkryetarja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj ndër tjera tha se njeriu që po i mban peng institucionet e Kosovës është Albin Kurti.
Kadrijaj: Nuk do të votojmë asnjë kandidat për nënkryetar të kuvendit nga pakicat serbe
Video
“Nuk do t’i votojmë asnjë, thash ata që e kanë bllokuar këtë situatë le ta zhbllokojnë. Ne kemi dashur t’i japim epilog, kemi ardhur deri tek këtu, asnjëherë zgjedhja e nënkryetarëve nuk është politizuar në këtë formë, ajo dihet me urdhëresë ose me rregullore të kuvendit, dihet se cila parti politike ju takon pozita e nënkryetarëve. Për shembull, ne si Aleancë nuk kemi pozitë të nënkryetarëve, i kemi votuar në mënyrë që të mos bllokohet konstituimi i kuvendit. Dhe bllokada e konstituimit të kuvendit, bllokada e Kosovës, njeriu që po i mban peng institucionet e Kosovës në mënyrë të paligjshme e ka emrin Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje”, ka shtuar ajo.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot në tentimin e gjashtëdhjetë për konstituimin e legjislaturës së nëntë. Të zgjedhurit e popullit para vetes kanë vetëm një pikë në rend të ditës: zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.
Gjykata Kushtetuese më 8 tetor ka publikuar aktgjykimin e plotë pas ankesës së Listës Serbe lidhur me konstituimin e Kuvendit. Gjykata ka thënë se Kuvendi nuk është konstituuar, ndërsa ka dhënë 12 ditë afat për deputetët që të përfundojnë procesin e konstituimit. Afati prej 12 ditësh ka nisur të rrjedhë prej ditës kur aktgjykimi i plotë u publikua në faqen zyrtare të gjykatës – më 8 tetor.