Kombëtarja luan të shtunën ndeshjen më të rëndësishme për kualifikueset e Botërorit 2026, ku përballë do të ketë Serbinë.
Sfida e shumëpritur për të dyja skuadrat, do të zhvillohet në stadumin e Leskovcit, duke nisur nga ora 20:45. Silvinjo ka zhvilluar pasditen e djeshme stërvitjen e fundit në Tiranë, teksa sot skuadra ka lënë Shqipërinë, për t’u zhvendosur në Nish, aty ku edhe do të qëndrojnë të grumbulluar për sfidën.
Pasditen e sotme, do të zhvillohet seanca e fundit stërvitore në Serbi dhe konferenca për shtyp e trajnerit, teksa braziliani tashmë duket se e ka ndarë mendjen për formacionin e mundshëm që pritet të zbresë në fushë mbrëmjen e së shtunës.
GJENDJA E SKUADRËS- Ndryshe nga ndeshja e shkuar ndaj Letonisë kur kuqezinjtë humbën disa ditë gjatë grumbullimit, këtë herë gjërat kanë shkuar mirë dhe të gjithë futbollistët e grumbulluar, janë një gjendje optimale. Veç kësaj, shumë nga lojtarët në listë, po kalojnë momente të mira me skuadrat e tyre, duke u kthyer në protagonistë me gola e jo vetëm. Të vetmet mungesa, mbeten ato të Ismajlit, Kumbullës e Pajazitit, me këtë të fundit që u zëvendësua nga Nazmi Gripshi.
FORMACIONI I MUNDSHËM- Sa i përket formacionit, Silvinjo do të bëjë provat e fundit në Leskovc ditën e sotme dhe pritet të ndajë edhe 11-shën startuese, megjithëse shpesh herë, tekniku brazilian e ndan ditën e ndeshjes gjatë analizës së paradite. Në portë, nuk ka dyshime dhe Strakosha do të jetë titullar, i ndihmuar në mbrojtje nga Hysaj në të djathtë e Mitaj në të majtë. Në qendër, opsionet janë të pakta, ku titullarë mbeten Ajeti dhe Gjimshiti. Sa i përket mesfushës, Ramadani është sërish me skuadrën dhe pritet ta nisë titullar së bashku me Asllanin dhe Shehun, ndërkohë që treshja e sulmit mund të ketë ndryshim. Në të djathtë, Broja është titullar dhe në qendër të sulmit, me shumë gjasa do të jetë Rei Manaj, ndërkohë që në të majtë, ka një balotazh mes Nedim Bajramit dhe Arbër Hoxhës, me këtë të fundit më të avantazhuar. Hoxha po kalon një moment të mirë me skuadrën e tij, ndryshe nga Bajrami që nuk po arrin të përshtatet me Rejnxhërs dhe minutat i ka pasur me pikatore.
MBËRRITJA NË SERBI- Kuqezinjtë do të mbërrijnë në Nish paraditen e sotme, ku fillimisht do të akomodohen në hotel. Pasdite, skuadra do të zhvillojë seancën e fundit stërvitore, e planifikuar të mbahet në orën 17:30, teksa para stërvitjes do të jetë edhe konferenca për shtyp. Ekipi do t’i mbyllë përgatitjet pikërisht në stadiumin “Gradski stadion Duboçica”, ku edhe do të luhet ndeshja e së shtunës.
BASTET- Kompanitë e basteve e shohin Serbinë më të favorizuar për të fituar ndaj kuqezinjve, duke e kuotuar fitoren e tyre me koeficientin 1.7, ndërkohë që Shqipëria kuotohet me 5.5. Një barazim i mundshëm mes dy skuadrave, e ka koeficientin 3.5. Megjithatë, Shqipëria ka treguar shpesh herë se ndaj skuadrave që duken më favorite, di të bëjë më të mirën dhe të marrë edhe fitore, teksa në ndeshjen e parë në “Air Albania”, dy skuadrat e mbyllën në barazim pa gola dhe me një penallti të humbur nga Rei Manaj që mund të ndryshonte historinë e ndeshjes.
PANORAMASPORT.AL