Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të enjten se planifikon të udhëtojë së shpejti në Egjipt për një ceremoni zyrtare të nënshkrimit të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, duke e përshkruar atë si një “ditë të jashtëzakonshme” të bërë të mundur me ndihmën e liderëve kryesorë rajonalë, përfshirë presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu.
“Do të përpiqemi të shkojmë atje dhe po punojmë për caktimin e kohës – kohën e saktë”, u tha Trump gazetarëve në një takim të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë.
“Do të shkojmë në Egjipt, ku do të kemi një nënshkrim, një nënshkrim shtesë dhe tashmë kemi pasur një nënshkrim që më përfaqëson mua, por do të kemi një nënshkrim zyrtar”, tha ai.
Trump shprehu “mirënjohje të jashtëzakonshme” për udhëheqësit e Katarit, Egjiptit, Turqisë, Arabisë Saudite, Jordanisë dhe vendeve të tjera për rolet e tyre në arritjen e marrëveshjes.
“Presidenti Erdoğan ishte personalisht i përfshirë në bisedimet me Hamasin dhe disa nga të tjerët. Ai ka qenë i shkëlqyer”, tha ai.
“Të gjithë kanë qenë vërtet të mrekullueshëm. Indonezia ka qenë fantastike. E gjithë bota është bashkuar për këtë – njerëz që nuk shkonin mirë, njerëz që nuk e pëlqenin njëri-tjetrin”, shtoi ai.
Presidenti amerikan tha se marrëveshja përfshin lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura të mbajtura në Rripin e Gazës. “Ata duhet të lirohen të hënën ose të martën”, tha ai, duke shtuar se “marrja e tyre është një proces i ndërlikuar”.
Duke iu referuar planeve të rindërtimit për Gazën, Trump tha se vendet e pasura në rajon do të kontribuojnë në përpjekjet e rindërtimit.
“Keni pasuri të jashtëzakonshme në atë pjesë të botës nga vende të caktuara, dhe vetëm një pjesë e vogël e kësaj do të bëjë mrekulli për Gazën”, tha ai. “Mendoj se do të shihni disa vende të jashtëzakonshme që do të ndërmarrin hapa dhe do të investojnë shumë para, dhe do të kujdesen për gjërat”, shtoi Trump.
Trump njoftoi të mërkurën se Izraeli dhe Hamasi kanë rënë dakord për fazën e parë të planit të tij të armëpushimit në Gaza.
Më 29 shtator, presidenti amerikan Donald Trump prezantoi një plan armëpushimi me 20 pika për Gazën, që përfshin lirimin e të gjithë robërve izraelitë në këmbim të rreth 2.000 të burgosurve palestinezë, një armëpushim të përhershëm dhe tërheqje graduale të forcave izraelite nga i gjithë Rripi i Gazës.
Faza e dytë e planit parashikon krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës në Gaza pa pjesëmarrjen e Hamasit, formimin e një force sigurie të përbërë nga palestinezë dhe trupa nga vende arabe e islame, si dhe çarmatimin e Hamasit. Po ashtu, plani parashikon financim arab e islam për administratën e re dhe rindërtimin e Rripit, me pjesëmarrje të kufizuar të Autoritetit Palestinez.
Ndërsa shumica e vendeve arabe dhe myslimane e kanë mirëpritur planin, disa zyrtarë kanë deklaruar se shumë detaje në të kërkojnë diskutim dhe negociata për t’u zbatuar plotësisht.