Sigurimi shëndetësor për pjesëtarët e Policisë së Kosovës vazhdon të mbetet një nga çështjet më të pazgjidhura, pavarësisht premtimeve të shumta ndër vite.
Nënkryetari i Sindikatës së Policisë, Avdi Hoti ka ngritur sërish shqetësimin për mungesën e veprimeve konkrete nga institucionet përgjegjëse, duke thënë se përpjekjet për të gjetur një zgjidhje alternative me kompanitë vendore të sigurimeve kanë dështuar.
Hoti ka deklaruar për “Front Online” se megjithëse pagat dhe orët shtesë po paguhen me rregull, problemi kryesor mbetet mosrealizimi i sigurimeve shëndetësore për policët.
Ai thotë se janë në prije të një përgjigje nga Ministria e Punëve të Brendshme.
“Orët shtesë po paguhen me rregull edhe pagat s’kemi pas ndonjë problem. S’ka pasur asgjë konkrete për sigurimet shëndetësore, ne si sindikatë kemi bërë përpjekje që ta bëjmë një sigurim shëndetësor alternativ me kompanitë e sigurimeve vendore por nuk ka ecur as ai projekt e kemi dërguar te Ministri i Punëve të Brendshme po s’kemi marr asnjë përgjigje ende”, u shpreh ai.
Ai shtoi se rritjet e pagave kanë qenë lineare si për të gjithë punonjësit publik, përveç një shtese specifike për punën në polici.
“Rritje të pagave kemi pas lineare dy herë nga gjysmë koeficienti si të gjithë, kemi siguruar edhe një shtesë që është për punë specifike në Policinë e Kosovës, tjetër rritje të pagave nuk kemi pas”, ka deklaruar ai.