Këshilli i Ministrave miratoi dje Programin Kombëtar të Lehtësirave në Aviacionin Civil, një dokument strategjik që synon përmirësimin e proceseve dhe shërbimeve në transportin ajror në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Së bashku me këtë program u vendos edhe ngritja e Komitetit Kombëtar të Lehtësirave në Aviacionin Civil, i cili do të ketë për detyrë koordinimin ndërinstitucional për zbatimin e masave të përcaktuara në program.
Komiteti do të drejtohet nga drejtori ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil dhe do të përbëhet nga përfaqësues të institucioneve kryesore shtetërore, përfshirë ministritë përgjegjëse për transportin, punët e brendshme, shëndetësinë, turizmin, bujqësinë, si dhe përfaqësues nga Policia e Shtetit, doganat, operatorët ajrorë dhe entet menaxhuese të aeroporteve.
Komiteti do të mblidhet rregullisht dy herë në vit dhe do të ketë mundësi të thërrasë mbledhje të jashtëzakonshme kur të jetë e nevojshme.
Ai do të mbështetet nga një sekretar i caktuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil, i cili do të kujdeset për organizimin administrativ të mbledhjeve dhe dokumentimin e punës së Komitetit.