William Saliba ka zbuluar arsyen pse vendosi të nënshkruajë një kontratë të re me Arsenalin, pavarësisht interesimit të madh nga Real Madridi, duke përmendur ndër të tjera edhe lëvizjen e Trent Alexander-Arnold nga Liverpooli si një faktor në vendimin e tij.
Mbrojtësi francez kishte një marrëveshje që skadonte në verën e vitit 2027, por tani ka nënshkruar një kontratë afatgjatë që do ta mbajë te “Topçinjtë” deri në vitin 2030.
Real Madridi kishte shfaqur interes për Saliban që kur ai shpërtheu në Premierligë, megjithatë ai ka bërë të qartë se është i vendosur të vazhdojë rrugëtimin në Londër.
“Për të qenë i sinqertë, nuk po mendoja për klubet e tjera. Doja të qëndroja këtu për më shumë vite. Nuk isha i përqendruar te klubet e tjera. Jam i përqendruar te klubi im”, ka thënë ai.
Saliba u pyet gjithashtu pse nuk ndoqi shembullin e Alexander-Arnold, i cili u transferua te Real Madridi.
“Ai fitoi disa tituj me Liverpoolin, ndërsa unë nuk kam fituar asgjë këtu përveç Community Shield. Dua të qëndroj këtu dhe të fitoj shumë trofe”, tha mbrojtësi francez.
Ai shtoi se ndjenja për klubin ka qenë vendimtare në këtë vendim.
“E dua këtë klub, nuk mund të largohem nga ky klub pa dhënë diçka mbrapsht. Nuk kam fituar asgjë. Dua të qëndroj këtu dhe të fitoj”, përfundoi Saliba.