Adem Grabovci, ish-deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në një prononcim për “Front Online” ka akuzuar partinë e Albin Kurtit, Lëvizjen “Vetëvendosje” për hipokrizi dhe përfshirje në korrupsion masiv.
Ai kujton se dikur ishte cak i sulmeve të shumta nga Vetëvendosje, që e shënjestroi si simbol të kapjes së shtetit ndërsa sot sipas tij, janë pikërisht ata që udhëheqin me aferat më të mëdha korruptive që ka parë ndonjëherë Kosova.
Grabovci tha se përfaqësuesit aktualë të pushtetit, përkundër akuzave të shumta po shpërfillin ligjin dhe po e zhbëjnë besimin qytetar ndaj institucioneve.
“Sot jemi dëshmitarë të gjithë se nga i pari përfaqësues i qeverisë nuk i përgjigjet drejtësisë e i shpërfill ato e mos të flasim për afera jo vetëm të punësimeve, por edhe të aferave tjera korruptive që asnjëherë në historinë e Kosovës nuk ka ndodhur korrupsion më i madh sesa që po ndodh sot para syve tonë. Do ta ndjej veten shumë të fyer nëse dikush më krahason me këta njerëz të korruptuar, inskenues, mashtrues, të pandershëm, e as përfaqësues të qytetarëve”, ka deklaruar Grabovci për “Front Online”.
Grabovci: Kam dhënë gjithçka për Kosovën, kurrë s’kam përfituar personalisht
Ish-deputeti dhe ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, në një deklaratë dhënë “Front Online” ka deklaruar se afera “Pronto” ka qenë i ndërtuar mbi akuza të paqëndrueshme, me qëllim diskreditimin e figurave politike.
Grabovci thotë se që nga dita e parë e hetimeve dhe deri më sot, ai ka qenë i hapur për bashkëpunim me drejtësinë dhe me EULEX-in, duke theksuar se mbi 7 vite hetim nuk prodhuan asnjë provë.
“Për këtë aferë të inskenuar, edhe para Gjykatës e Prokurorisë e kam thënë, dhe e them sot e çdo herë se nëse ka dikush që mund të konstatojë se unë apo familja ime ka kursyer diçka nga vetja për t’ia dhënë këtij vendi, jam i gatshëm t’i shtrij dorën gjithkujt. Kam dhënë maksimumin tim. Kam qenë i gatshëm para institucioneve të drejtësisë e EULEX që të përballem me të gjitha e të bashkëpunojë për të vërtetën mbi 7 vite kam qenë në hetim dhe s’kanë mundur ta gjejnë asnjë rast”, u shpreh ai.
Ai ka ndërlidhur gjenezën e aferës me kohën kur ishte pjesë e kabinetit qeveritar të Hashim Thaçit, ku sipas tij, Ministria e Transportit ishte më e suksesshmja.
“Ministria e Transportit është akuzuar për keqpërdorim e cila ka qenë një nga ministritë më të suksesshme që kam qenë më fat e nder që kam qenë pjesë e kabinetit të qeverisë Thaçi 1 që identifikohet me ndryshime të mëdha dhe me hedhjen e themeleve të zhvillimit të vendit. Ministria ka qenë shembull që ka krijuar vepra dhe dikujt i ka pengu dhe kanë skenuar një proces të paqenë, akuza për korrupsion që kanë qenë të paqëndrueshme”, ka deklaruar Grabovci.
Ai shtoi se të gjitha përgjimet e publikuara në kuadër të aferës nuk dëshmojnë asnjë përfitim as personal e as familjar.
“Kurrë askush s’ka përfituar as familjarisht as partiake nga unë të gjithë ato përgjime që ka ndodh nuk mund askush të gjejë se Grabovci i ka bërë dikujt padrejtësi. Kam thënë që me kohen do të shpërfaqen ligësitë e njerëzve që po bëjnë përpjekje që të kurdisin afera të paqenë për të ndërtuar një kauzë të rrejshme për të përbaltur figurat e institucionet”, ka thënë ai për “Front Online”.