Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot në orët e pasdites në qytetin e Tetovës, ku një fëmijë është goditur nga një veturë teksa kalonte rrugën në vijat e bardha me trotinetin e tij informon Tetovasot.
Sipas informatave të para nga Policia e Tetovës, ngjarja ka ndodhur në një nga rrugët kryesore të qytetit, ku një veturë që po lëvizte me shpejtësi ka goditur fëmijën, i cili ndodhej në trotuar dhe po kalonte në mënyrë të rregullt në vendkalimin për këmbësorë.
Fëmija ka pësuar lëndime trupore dhe menjëherë është dërguar në Spitalin Klinik të Tetovës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Gjendja e tij thuhet se është e qëndrueshme, por me disa lëndime që kërkojnë trajtim mjekësor.
Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Sipas dëshmitarëve, shoferi i automjetit nuk ka ndaluar në kohë për t’i dhënë përparësi këmbësorit në vijat e bardha.
Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në zonat ku ka lëvizje të fëmijëve dhe këmbësorëve.
Më shumë detaje priten pas përfundimit të hetimeve nga organet kompetente.TS