Tre persona janë nën hetim për zhvatje të parave nga një qytetar i Shkupit dhe dyshohen për veprën penale të Zhvatjes, sipas nenit 258 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.
Gjatë periudhës nga 16 deri më 18 shtator, i dyshuari i parë, me qëllim që të përfitojë pasuri të kundërligjshme për veten e tij, ka përdorur kërcënim serioz dhe e ka detyruar të dëmtuarin t’i paguajë 60.000 denarë. I dyshuari i është paraqitur të dëmtuarit si pjesëtar i një grupi kriminal dhe i ka kërkuar 1.000 euro për ta mbrojtur nga persona të tjerë që më herët i kishin kërkuar para. Në të njëjtën kohë e ka kërcënuar të mos e denoncojë rastin në polici, duke i thënë se në të kundërtën do ta vriste dhe do t’ia digjte shtëpinë.
“I dëmtuari ditën e parë i dha 30.000 denarë, pasi aq mundi të tërhiqte nga bankomati, ndërsa më pas vendosi të paraqitet në polici. Dy ditë më vonë, kur u morën vesh për dorëzimin e pjesës tjetër të parave, bankënotat ishin më herët të përpunuara teknikisht nga njësia kriminalistike. Menjëherë pas dorëzimit, i dyshuari u arrestua në vendin e ngjarjes dhe tek ai u gjetën paratë”, thonë nga Prokuroria.
Hetimi përfshin edhe dy persona të tjerë, për të cilët, sipas provave të mbledhura deri tani, Prokuroria ka dyshime të bazuara se gjatë muajve gusht dhe shtator të këtij viti, në disa raste kanë zhvatur para nga i njëjti person. Ata e kishin bindur se paratë ishin të destinuara për persona të tjerë, me qëllim që të mos i bënin dëm atij dhe familjes së tij, dhe kështu dyshohet se e kanë detyruar t’u paguajë gjithsej 27.000 euro.
Prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore Penale Shkup një kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin e parë, i cili u kap në vendin e ngjarjes gjatë kryerjes së veprës penale, si dhe masa kujdesi – paraqitje të detyrueshme në gjykatë dhe ndalim të afrimit te i dëmtuari dhe familja e tij – për dy të dyshuarit e tjerë.