Në gjysmën e parë të vitit 2025, 16 fëmijë janë përfshirë në aksidente me trotinete. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, 6 fëmijë kanë përfunduar me lëndime të rënda, ndërsa 10 të tjerët me lëndime më të lehta. Alsat ka anketuar disa nxënës të shollave fillore dhe të mesme të cilët dëshmojnë se ngasja e trotineteve tashmë paraqet rrezik shumë të lartë, sepse shumica nuk respektojnë rregullat.
“Mendoj se janë të rrezikshëm. Trotinet nuk ngas, nuk kam në shtëpi. A frikohesh? Jo, nuk dua, personalisht nuk dua”, tha një nxënës.
“Shumë rrezik është pa helmet, pa mbrojtje të krahëve, të duarve, rrezik është me të vërtet. Për shembull në ndonjë shtet tjetër kanë rrugët e veçanta ku ngasin trotinetet, biçikletat e të tjera. Te ne nuk janë”, shtoi një tjetër.
Një pjesë e qytetarëve vlerësojnë se lëvizja me trotinet duhet të jetë e kufizuar. Ndërsa shumë të tjerë rekomandojnë që ngasësit e trotineteve paraprakisht të kalojnë orë praktike se si duhet drejtuar një mjet të tillë elektrik.
“Tash janë bë edhe shumë edhe të pakujdesshëm. Me ligj duhet të kufizohet, me bë kohën e caktume prej kaq ora e deri në aq mundet me dal, jo për shembull tash mi pengu edhe komunikacionit”, tha një qytetar.
“Fillimisht nuk kanë nga të lëvizin. Vetëm makina ka, nuk ka korsi, edhe aty ku ka korsi ka makina. Duhet të rregullohet me ligj, prej cilës moshë mund ta drejtoj këtë mjet elektrik. Në Evropë, edhe për ta drejtuar biçikletën duhet ta kalosh provimin. Vlerësoj se gjithçka ka të bëj me shtetin. Nga ajo që shoh këtu asgjë nuk funksionon, asnjë ligj”,shtoi një tjtër.
Raporti i MPB-së thekson se në gjashtë muajt e parë të këtij viti janë shkaktuar gjithsej 53 aksidente me trotinet, në të cilat një person i rritur ka humbur jetën. Sipas rregullores së MPB-së, personat që ngasin trotinet nuk duhet të jetë nën moshën 14 vjeçare. Me trotinet mund të qarkullohet veten në zonat e caktuara. Jo më shpejtë se 25 km në orë në korsinë e biçikletave. Të mos lëvizet në trotuar me shpejtësi mbi 6 km në orë ndërsa gjatë mbrëmjes, ata që ngasin trotinete duhet të mbajnë jelek reflektues. MPB tashmë ka nisur fushatë edukuese ku tregohet për detyrimet ligjore dhe rekomandimet për ngasje të sigurt me trotinete elektrikë. Qëllimi i fushatës është të rritet vetëdijesimi për pjesëmarrje më të sigurt në rrugë për ata që ngasin trotinete./Alsat.mk