Organizimi elektoral opozitar pati “çalesat e veta” në procesin zgjedhor të 11 majit. Ky është mendimi i kryetarit të Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Gjatë një interviste ai u shpreh se gjatë fushatës angazhimi politik i Berishës ishte maksimal, por nuk ndodhi e njëjta gjë me strukturat e PD-së në qarqe. Sipas tij, ka pasur një mungesë funksionimi organizativ i grupeve të kandidatëve që ishin në listën e hapur me ata në listën e mbyllur.
“Dua ta theksoj në gjykimin tim dhe në bindjen time, qytetarët shqiptarë kanë qenë dhjetë hapa përpara strukturave së PD-së në dëshirën e tyre për të fituar. Ajo që kam parë gjatë fushatës është një angazhim politik, fizik maksimal i zotit Berisha, i cili nuk ishte i njëjtë me pjesët e tjera të strukturave të PD-së nëpër qarqe. Po ashtu mungesa e një funksionimi organizativ i grupeve që ishin në listën e mbyllur me grupet që kandidonin. Pra kishte njëlloj disfunksionimi, por prapë e them edhe njëherë, në kushtet e fushatës elektorale për një periudhë një muaj e gjysmë kjo padyshim që krijon problemet e veta”, tha Mediu.
Kreu i PR-së komentoi deklaratat e Ilir Alimehmetit, kandidatit të PD-së në zgjedhje, i cili po nga studio e Klan News një ditë më parë tha se opozita ra në sondazhe sapo u publikua lista e mbyllur e kandidatëve dhe se pesha e aleatëve nuk ishte aq e madhe sa pritej.
Sipas Mediut, Partia Republikane mori rreth 29 mijë vota, duke qenë një nga partitë me më shumë vota mes aleatëve të PD-së. Megjithatë, sipas tij, nuk ka rëndësi sa deputetë ka secila parti brenda opozitës.
“E rëndësishme është që deputetët të funksionojnë si një unitet politik opozitar kundër qeverisë. Për më tepër këto parti politike që morën nga 1 apo 2 mandate, votat e tyre në pjesën më të madhe shkuan dëm”, tha ai.
Ai propozoi që Partia Demokratike të ndërtojë një strukturë ekzekutive elektorale me të gjithë kandidatët që morën një shumë të caktuar votash.