Kandidati i pavarur për kryetar të Komunës së Gostivarit, Visar Ademi, ka reaguar ashpër ndaj vendimit për zvogëlimin e Këshillit Komunal nga 31 në 23 anëtarë.
“ Zvogëlimi i Këshillit është sulm ndaj përfaqësimit të drejtë. Bëj thirrje institucioneve përkatëse që menjëherë ta kthejnë këtë vendim dhe të rikthejnë numrin e merituar të këshilltarëve”, tha Ademi.
Ai gjithashtu theksoi se përjashtimi i diasporës nga procesi zgjedhor u mohon rreth 40 mijë qytetarëve të Gostivarit të drejtat kushtetuese.
“Diaspora është shtyllë jetike e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të qytetit tonë, dhe zëri i saj kurrë nuk duhet të heshtet”, u shpreh kandidati i pavarur.
Sipas Ademit, ky vendim prek të gjithë qytetarët e Gostivarit, pavarësisht përkatësisë etnike: Shqiptarë, Maqedonas, Turkë, Romë e të tjerë, sepse “dobësimi i demokracisë dëmton të gjithë”.
Ai kërkoi që zgjedhjet të jenë të lira, të drejta dhe gjithëpërfshirëse, jo të manipuluara.