Dy të mitura kanë humbur jetën në një aksident tragjik që ndodhi mbrëmjen e djeshme rreth orës 18:00 në një rrugë lokale në fshatin Kolibari, në rajonin e Kërçovës.
Sipas informacioneve të konfirmuara sot nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), një vajzë 15-vjeçare nga fshati Kolibari, e cila po drejtonte një katërçikletë me targa të regjistruara në Kërçovë, humbi kontrollin mbi mjetin dhe doli nga rruga. Si pasojë e aksidentit, ajo dhe pasagjerja e saj, gjithashtu e mitur nga fshati Greshnicë, humbën jetën në vendin e ngjarjes.
Mjeku i ndihmës së shpejtë konstatoi vdekjen e të miturave në vendngjarje. Me urdhër të prokurorit publik, trupat e pajetë janë dërguar për autopsi.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të këtij aksidenti të rëndë.