VLEN sot sjell jo vetëm lajme, por një revolucion social që shqiptarët dhe gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut e kanë pritur për dekada të tëra! Nën udhëheqjen vizionare të Ministrit të Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, ne shënojmë një moment gjigant, që nuk është vetëm politik, por mbi të gjitha human dhe shoqëror.
Për herë të parë, nënshkruam marrëveshje të rëndësishme me 8 komuna, marrëveshje që nuk mbeten në letër, por që kthehen menjëherë në projekte konkrete, në ndryshime të dukshme dhe të prekshme për fëmijët, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara.
Për herë të parë në histori, Hasanbegu në Komunën e Gazi Babës dhe Çellopeku në Komunën e Bërvenicës do të kenë çerdhet e tyre publike!
Për dekada, këto zona ishin të harruara, të lëna jashtë hartës së zhvillimit, por sot, falë qeverisjes së VLEN, ato marrin vëmendjen dhe investimin e merituar. Ky nuk është thjesht një objekt ndërtimi, por është jetë e re, është shpresë dhe dinjitet për prindërit e rinj dhe për fëmijët tanë, të cilët janë ardhmëria e vendit.
Po ashtu, është nënshkruar një Marrëveshje të re Kolektive me sindikatat AOJSHQ dhe SASHK, një akt që hyn në histori si marrëveshja e dinjitetit për punonjësit e sistemit të mbrojtjes sociale.
Për herë të parë, ata marrin një rritje historike prej 20% të pagave, përfshirë edhe drejtorët e institucioneve sociale.
Kjo nuk është vetëm një rritje page. Ky është një mesazh respekti dhe mirënjohjeje për punonjësit socialë që çdo ditë përballen me sfida të mëdha, që janë pranë fëmijëve pa përkujdesje, pranë të moshuarve që nuk kanë kë të mbështeten, pranë personave me aftësi të kufizuara. Ata nuk janë punëtorë të zakonshëm, ata janë heronj të përditshëm të shoqërisë sonë, dhe sot shteti, përmes VLEN, u thotë: Ju jeni të çmuar, ju meritoni dinjitet dhe shpërblim të drejtë!
Të nderuar qytetarë,
Ky është modeli ynë i qeverisjes: jo fjalë të thata, jo premtime boshe, por veprime konkrete, të matshme dhe afatgjata. Ne besojmë se shteti nuk është vetëm administratë, por është mbi të gjitha kujdes për njeriun.
VLEN ka hyrë në qeverisje për të sjellë ndryshimin që njerëzit e thjeshtë e presin, dhe sot ky ndryshim shihet, ndjehet dhe preket. Nga fëmijët që do të kenë çerdhet e tyre, te punonjësit socialë që marrin pagën e merituar, te çdo familje që ndjen se ka një shtet që kujdeset për të.
Ky është vetëm fillimi. Ky është vetëm hapi i parë i një rruge të gjatë, ku VLEN ka një mision të qartë: të ndërtojë një shtet social të drejtë, human dhe të barabartë për të gjithë qytetarët.
Beso me zemër! Sepse kur vepron me zemër, ndryshimi është i pashmangshëm.