Pas dhjetë viteve ku për herë të parë gjuha shqipe u bë pjesë e pandashme e Galerisë Nacionalë, sot jemi dëshmitarë të një turpi institucional. Ekspozita e fundit, e hapur nga drejtori i ri Ali Sinani, u prezantua pa asnjë përshkrim në shqip. Gjuha zyrtare u harrua. Publiku shqiptar u përjashtua. Dhe kjo ndodhi megjithëse në institucion paguhet përkthyes që ka detyrë ligjore ta sigurojë përfaqësimin e saj. Kështu ka akuzuar Sekretariati Kulturës i Bashkimit Demokratik për Integrim, ndërsa shton se kjo nuk është harresë. Kjo është vendim.
“Kjo është provë se drejtimi i ri i drejtuesve të Vlenit po e kthen galerinë mbrapsht në një hapësirë të mbyllur dhe përjashtuese që harron se ky institucion është i të gjithëve. Dhe nuk ndalet këtu. Refuzimi i takimit me artistët shqiptar dhe me artistin me famë botërore Ardian Paci nga Shqipëria është skandal që do të mbetet njollë e zezë për këtë drejtim. Vleni i mbylli derën një emri që e ka ngritur artin shqiptar në skenën botërore, kjo është politika zyrtare e Vlenit, bashkëpunim zero me shtetin shqiptar”, thuhet në reagim.
Kjo, vijon më tej reagimi, është fyerje jo vetëm për artistin por për gjithë shqiptarët.
“Dhe kur ai thotë se nëse nuk vjen Paci ka shumë të tjerë, kjo nuk është vetëm banalitet, kjo është shkatërrim i vetë kuptimit të Galerisë si institucion. Galeria nuk është agjenci ku zëvendësohen emrat sipas tekave të një funksionari. Kjo është fytyra e re që publiku sheh nga drejtimi i Vlenit. Një galeri pa gjuhën shqipe, pa respekt për artistin dhe pa dinjitet institucional. Por arti nuk nëpërkëmbet. Arti është mbi çdo mandat dhe mbi çdo drejtor të përkohshëm. Historia do ta mbajë mend këtë periudhë si njërën nga faqet më të turpshme të këtij institucioni”.