Më 13.08.2025, në orën 03:10, në rrugën “15 Korpus” në Strugë, zyrtarë policorë nga Sektori i Punëve të Brendshme Strugë e kanë privuar nga liria A.S. (21) nga Struga, i cili, duke drejtuar një veturë “Ford” me targa të Strugës, ka qenë pjesëmarrës në një aksident trafiku mes mjetit të tij dhe një veture “Touran” me targa të Strugës, e drejtuar nga J.P. (62) nga Vevçani.
Pas marrjes së masave, policia ka konstatuar se A.S. ka drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit, me 1.72 promilë në gjak. Ai është menjëherë përjashtuar nga qarkullimi dhe ndaj tij do të ngrihet kallëzim penal sipas nenit 297-a të Kodit Penal “Drejtim i pamatur i automjetit”.
Po ashtu, më 14.08.2025, në orën 01:55, në rrugën magjistrale Strugë-Qafë Thanë, është privuar nga liria N.M. (29) nga fshati Radolishtë i Strugës. Gjatë kontrollit në komunikacion, policët nga Stacioni Policor për Siguri në Komunikacionin Rrugor Strugë kanë ndaluar një veturë “Golf” me targa të Strugës, që ai po e drejtonte, dhe kanë konstatuar se ai ka qenë nën ndikimin e alkoolit, me 1.63 promilë në gjak. Ai menjëherë është përjashtuar nga qarkullimi dhe ndaj tij do të ngrihet kallëzim penal sipas nenit 297-a të Kodit Penal “Drejtim i pamatur i automjetit”.