Shkruan: Xhevdet Pozhari
Dikur, quhej “villa e Radoiçiqit” – vend ku hartoheshin planet famëkeqe kundër shtetit të Kosovës. Aty ku mbaheshin mbledhjet e atyre që kishin për mision minimin e pavarësisë sonë.
Sot, ky objekt është bazë e Policisë së Kosovës, një nyje e rëndësishme për sigurinë e vendit.
Po ashtu, objekti i Kryqit të Kuq, që Radoiçiqi e përdorte për stërvitje të trupave paramilitare, është tashmë nën kontrollin e policisë.
Në këtë zonë funksionojnë shumë stacione e nënstacione policore – dhe të tjera janë në ndërtim e sipër.
Kanali i Ibër Lepencit është sanuar plotësisht pas sulmit te*orist. Autorët janë zbuluar dhe vënë para drejtësisë.
Jo shumë larg nga aty, po ndërtohet edhe stacioni i ri policor në Zubin Potok.
Para pesë vitesh, këtu sundonte errësira informative dhe mungesa e kontrollit. Sot, gjendja ka ndryshuar si nata me ditën:
– Rrjeti i telefonisë Vala është instaluar.
– Barrikadat janë vetëm kujtim i së kaluarës.
– Janë shtruar rrugë të reja strategjike që forcojnë mburojën e sigurisë.
Por ky transformim nuk ndalet vetëm te siguria. Ujmani, një nga pasuritë natyrore më të çmuara të Kosovës, po bëhet gjithnjë e më i qasshëm për qytetarët.
Po investohet në shtigje të reja për vizitorë dhe së shpejti nis ndërtimi i objektit të ri në pikën kufitare të Bërnjakut.
Në këtë zonë tashmë është funksionalizuar Agjencia e Menaxhimit Emergjent, e gatshme për trajnime të brezave të rinj.
Qendra për Trajnim të Kërkim-Shpëtimit është gati, ndërsa njësiti i barkave kontrollon çdo cep të territorit ujor.
Policë nga të gjitha rajonet e gjeneratat, të bashkuar nga dashuria për vendin dhe vullneti i hekurt për t’i ofruar siguri qytetarëve, janë sot pjesë e këtij rrëfimi suksesi. Nuk ka nevojë të flasim gjatë për sakrificën e tyre – mjafton të themi se as miza nuk mund të fluturojë pa u vërejtur nga ata.
Sot, kjo zonë po normalizohet. Faza e parë – kthimi i kontrollit dhe rendit – është realizuar.
Faza e dytë është në realizim e sipër: progresi dhe zhvillimi për të gjithë qytetarët.
E ju, shijoni bukurinë e Ujmanit – pasurinë e shtetit tonë.