SPAK ka dërguar për gjykim pesë persona të përfshirë në një skemë blerjeje votash në zgjedhjet vendore të vitit 2023 në Rrogozhinë, mes të cilëve edhe ish-kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Shkëlqim Hoxha.
Sipas njoftimit zyrtar, Engjell Cara, Limon Shala, Fatmir Thaçi dhe Florant Saraçi akuzohen për korrupsion aktiv në zgjedhje, ndërsa Hoxha për moskallëzim krimi, pasi ishte në dijeni të veprimtarisë së paligjshme dhe nuk e denoncoi.
Nga hetimet ka rezultuar se personat në fjalë kanë siguruar dhe shpërndarë bileta udhëtimi për të paktën 64 shtetas, me qëllim kthimin e tyre nga jashtë vendit për të votuar në favor të Shkëlqim Hoxhës në zgjedhjet e përsëritura të Korrikut 2023, ku ai garoi përballë socialistit Edison Memolla dhe humbi.
Dosja është ngritur mbi bazë të referimeve të Policisë së Durrësit dhe është bashkuar me një tjetër çështje për shkak të përputhjes së fakteve dhe personave të hetuar.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) paraqiti në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, kërkesën për gjykim të çështjes penale nr. 161 të vitit 2023, në ngarkim të shtetasve:
- Limon Shala
- Fatmir Thaçi
- Florant Saraçi
- Engjell Cara
- Shkëlqim Hoxha
Në përfundim të hetimeve të kryera, të mbështetura në prova dhe analiza ligjore, ka rezultuar se:
Shtetasit Engjell Cara, Limon Shala, Fatmir Thaçi dhe Florant Saraçi janë vënë nën akuzë për kryerjen e veprës penale,“Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, parashikuar nga nenet 328, 25 dhe 50, germa “h” të Kodit Penal.
Shtetasi Shkëlqim Hoxha akuzohet për veprën penale“Moskallëzim i krimit”, parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.
Hetimet treguan se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë siguruar dhe ofruar bileta udhëtimi të parapaguara për persona të ndryshëm (të dokumentuara në 64 raste), me qëllim që të votonin në favor të kandidatit, Shkëlqim Hoxha, në zgjedhjet vendore të vitit 2023 në Bashkinë Rrogozhinë.
Gjithashtu, ka rezultuar se shtetasi Shkëlqim Hoxha ishte në dijeni të kësaj veprimtarie të paligjshme, më konkretisht se shtetasit Fatmir Thaçi dhe Limon Shala ishin të angazhuar në sigurimin dhe ofrimin e biletave të udhëtimit për persona të ndryshëm, me qëllim pjesëmarrjen në votime si dhe dhënien e votës në favor të tij, për shkak të cilësisë së tij si kandidat i Partisë Demokratike për Bashkinë Rrogozhinë Ai nuk e ka kallëzuar në organet kompetente, në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, konkretisht nenin 300 i Kodit Penal.
Procedimi penal nr. 161/2023 është bashkuar me procedimin penal nr. 162/2023, duke u hetuar si një çështje e vetme, për shkak të përputhjes së fakteve dhe subjekteve nën hetim.
Regjistrimi i procedimeve është bërë mbi bazën e referimeve të përcjella nga strukturat hetimore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.