Një ngjarje e rëndë është parandaluar në kohë në një fshat të Krujës, ku një 18-vjeçar ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së komshiut të tij, pas një konflikti për motive të dobëta.
I riu, banues në fshatin Mazhe e Madhe, dyshohet se pas mosmarrëveshjeve të vazhdueshme me fqinjët, ka marrë një pushkë dhe ka hapur zjarr drejt banesës së tyre, duke kanosur seriozisht jetën e tyre dhe të familjarëve.
Pas kallëzimit të bërë nga pala e dëmtuar, autoritetet kanë ndërhyrë menjëherë duke identifikuar dhe vënë në pranga autorin e dyshuar. Gjatë kontrollit në afërsi të vendit të ngjarjes, është sekuestruar arma e zjarrit tip pushkë, së bashku me municionin përkatës.
18-vjeçari me iniciale Q. M. rezulton me precedentë të mëparshëm penal dhe tashmë përballet me akuza të rënda, ndërkohë që materialet janë referuar në Prokurori për vijimin e procedurave ligjore.