HRISTIJAN MICKOSKI, KUVEND
“Unë e di se cila është strategjia juaj për këto zgjedhje lokale. Të mos lejojmë që ‘kaurët’ në Gostivar, në Tetovë të na zgjedhin kryetar komune, e di cila është strategjia juaj”
Kjo deklaratë e bujshe e kryeministrit Hristijan Mickoski, ka ndezuar reagime të ashpra ndërmjet partive shqiptare opozitë dhe pozitë. Nga foltoret e Kuvendit, deri te postimet e zjarrta në rrjetet sociale, zërat kritikë nuk kanë munguar.
Nga Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit, pyesin koalicionin VLEN, se a pajtohen ata me fjalorin e Mickoskit.
ALEANCA PËR SHQIPTARËT
“Pyesim eksponentët e grupimit politik VLEN nëse pajtoheni me gjuhën e përdorur nga kryeministri Mickoski, dhe a ndjehen edhe ata, ashtu siç potencoi ai. Nëse nuk reagoni ndaj kësaj deklarate, atëherë lind pyetja e pashmangshme: A është heshtja juaj shenjë dakordësie? Dhe nëse po, cilat janë vlerat që pretendoni se përfaqësoni? Në momente të tilla, qëndrimi nuk është opsion – është detyrim politik dhe moral”.
Ndërkohë, edhe nga koalicioni VLEN, kanë reagur në formë të pyetjeve, të cilët i’a kanë parashtruar drejtpërdrejt Arben Taravarit.
VLEN
“Pse Taravari e luste Mickoskin që ta marrë BDI-në në Qeveri? Pse ky njeri vepronte tinëz për ta ngjallur ‘kufomën politike’ siç e quante ai? Këto përgjigje ua ka borxh qytetarëve që ua kërkoi votën për ndryshimin e së keqes të quajtur BDI pak muaj më parë. Sot më nuk ka asnjë dyshim se plani i Artan Grubit dhe Arben Taravarit ka qenë i qartë të rrëzohet VLEN-i si përfaqësues i vullnetit të shqiptarëve dhe të kthehet BDI në pushtet nga dritarja, pasi populli e kishte nxjerrë nga dera”.
Kujtojmë se kryeministri Mickoski dhe deputeti i ASH-së, Halil Snopçe, të ejten, në foltorën e kuvendit, gjatë seancës së pyetjeve të deputetëve janë përplasur ashpër në mënyra deklarative.
Samir Mustafa /SHENJA/