Prokuroria Publike ka njoftuar se Prokuroria e Shkupit ka dhënë urdhër për realizim të hetimit kundër dy personave, pasi siç thuhet në njoftim, të njëjtit dyshohet se kanë kryer dhunë të vrazhdë, përcjell TV21.
Siç thuhet në njoftim, dy të dyshuarit kanë sulmuar fizikisht, me pinca hidraulike, deri në pavetëdije një person, për të cilin kanë dyshuar se ua ka vjedhur shalqinjtë nga bahçja.
“Të dyshuarit, të moshës 39 dhe 31-vjeçare, më 24 korrik në fshatin e Shkupit, Oreshan, kanë kryer dhunë të vrazhdë dhe e kanë rrezikuar sigurinë e një personi, për të cilin kanë menduar se ka vjedhur shalqinj në tokën e të dyshuarit të parë. Me automjet transportues, e kanë përcjell të dëmtuarin derisa ai me automjet ka lëvizur nga Petroveci drejt fshatit Taor, derisa është parkuar në oborrin e shtëpisë së nipit të tij në Oreshan.
Të dyshuarit kanë arritur menjëherë pas tij, kanë dalë nga automjeti dhe e kanë sulmuar. Me dhunë e kanë hequr nga vetura dhe e kanë sulmuar me grushte dhe shuplaka në kokë dhe trup. I dyshuari i dytë ka nxjerrë pinca hidraulike nga kamioni, dhe me ato e ka sulmuar derisa i dëmtuari është rrëzuar pa vetëdije. I kanë shkaktuar lëndime trupore për shkak të së cilave – gjendjes serioze jetësore është hospitalizuar në Klinikën e Neurokirurgjisë. Me veprimet e dhunshme, tek dëshmitari – nipi i të dëmtuarit dhe në publik kanë shkaktuar ndjenjën e pasigurisë, kërcënimit dhe frikë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Nga Prokuroria bëjnë të ditur se duke vlerësuar rrethanat, kundër dy të dyshuarve është propozuar masë e paraburgimit.