Pas vizitës së sotme në Spitalin Klinik të Tetovës, ku ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, bashkë me stafin shëndetësor njoftoi për punësimin e 155 punonjësve të rinj shëndetësorë, ka ardhur një reagim i ashpër nga Aleanca për Shqiptarët – krahu i Taravarit.
Përmes një kumtese për media, ASH-Taravari ka akuzuar ministrin Aliu për “premtime boshe” dhe për mashtrim të infermiereve.
“Edhe sot, Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, erdhi me premtime boshe dhe i MASHTROI 155 motrat medicinale, duke u dhënë shpresë për kontrata të përhershme – një premtim që ai e di shumë mirë se nuk mund ta përmbushë! Nuk ka kontrata të përhershme pa konkurs publik”, thuhet në reagim.
Në deklaratë theksohet gjithashtu se aktualisht nuk ka fonde të ndara për këto punësime në rebalansin e buxhetit, ndërsa sipas tyre, edhe Fondi i Sigurimit Shëndetësor ka konfirmuar me shkrim se mungojnë mjetet financiare për angazhimin e ri të punonjësve.