BDI i kundërpërgjigjet VLEN pas akuzave për Bujar Osmanin: Qeveria e Botës Serbe po sulmon diplomacinë më të suksesshme
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të VLEN – qeverisë, të cilën e cilëson si “instrument të botës serbe”, duke akuzuar për sulme politike ndaj ish-ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani.
Në një komunikatë zyrtare, BDI thekson se qeveria aktuale, e shpallur nga 461 eurodeputetë si përfaqësuese e interesave serbe në rajon, po përpiqet të minimizojë sukseset historike të diplomacisë që u udhëhoq nga Osmani.
“Qeveria që u shpall nga 461 eurodeputetë si një instrument i botës serbe, sot po përpiqet të hedhë hije mbi punën e Ministrit më të suksesshëm të Jashtëm që ka pasur Maqedonia e Veriut,” thuhet në reagim.
BDI rendit një sërë arritjesh të Osmanit gjatë mandatit të tij si Ministër i Punëve të Jashtme, ndër të cilat përfshihen:
Anëtarësimi në NATO;
Fillimi i negociatave për anëtarësim në BE;
Kryesimi i OSBE-së në vitin më sfidues të saj;
Ngritja e Dialogut Strategjik me SHBA-të;
Harmonizimi i plotë me politikën e jashtme të BE-së;
Themelimi i iniciativës rajonale “QUAD” me Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi;
Dëbimi i 20 diplomatëve rusë nga Shkupi si përgjigje ndaj agresionit rus;
Mbështetja për Ukrainën dhe bashkë-sponsorizimi i rezolutës për njohjen e gjenocidit në Srebrenicë në OKB.
Sipas BDI-së, raporti më i fundit i Parlamentit Evropian e cilëson pikërisht punën e MPJ-së gjatë mandatit të Osmanit si të vetmen zonë të suksesshme të qeverisjes së kaluar.
“Prandaj, sulmet që vijnë nga një qeveri që i shërben botës serbe, nuk e zbehin punën e Bujar Osmanit – përkundrazi, janë një kompliment për të dhe dëshmi e drejtësisë së rrugës së tij,” përfundon komunikata.