Kryetari i Lëvizjes BESA dhe njëkohësisht kryetar i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, së bashku me kryeministrin, Hristijan Mickoski, kanë zhvilluar një konferencë për media në gjimnazin “Kirili Pejçinoviq”, ku kanë bërë të ditur fillimin e rikonstruksionit të plotë të kësaj shkolle të mesme.
Gjatë konferencës, gazetarët ngritën një pyetje nëse donacioni që po mundëson këtë rikonstruksion vjen nga një kompani serbe dhe nëse pas këtij investimi fshihet një marrëveshje e mundshme për ndërtimin e një Kishe Ortodokse në Tetovë.
Në vend të Kasamit, kësaj pyetje iu përgjigj kryeministri Mickoski, i cili theksoi se investimi është pjesë e përpjekjeve për të përmirësuar infrastrukturën arsimore – por pa precizuar se për cilën kompani bëhet fjalë.
Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së
“Sa i përket donacionit, bëhet fjalë për një donacion nga një kompani me përgjegjësi shoqërore dhe e njëjta kompani ka dhuruar gjithashtu një objekt në këtë shumë dhe në Komunën e Tearcës. Respektivisht, e ka rinovuar tërësisht sistemin e kanalizimit në Komunën e Tearcës, që do të duhej të përfundonte me një stacion për pastrimin e ujërave të zeza. Me sa di, një parti politike që sot është në opozitë, pra BDI-ja edhe më herët është lavdëruar se ka realizuar një projekt të tillë në Komunën e Tearcës përmes rrjeteve sociale”.
Mickoski shtoi se, me thirrjen e dytë për financimin e projekteve kapitale në komunat e vendit, Komuna e Tetovës merr financim praktik të projekteve me vlerë rreth 11.5 milionë euro. Ndërkaq, në thirrjen e parë janë aprovuiar 3.7 milionë euro për financim të projekteve. /SHENJA/