Policia e Manastirit ka ngritur kallëzim penal kundër 29-vjeçarit G.P. nga fshati Angelci, komuna e Vasilievës, i cili dyshohet për dy vepra penale “tentativë vrasjeje”, tri raste të “vjedhjes së rëndë” dhe “prodhim, posedim dhe tregtim i paligjshëm i armëve”.
Sipas policisë, në periudhën nga 2 deri më 7 korrik të këtij viti, G.P. ka kryer disa vjedhje në shtëpi vikendi në rajonin e Manastirit – ka hyrë në dy objekte në fshatin Kërklino, ku nuk ka vjedhur asgjë, por ka shkaktuar dëme materiale. Në fshatin Dolno Sërpci, ka hyrë me dhunë në një shtëpi dhe ka vjedhur një pushkë gjahu dhe karburant.
Më 7 korrik, duke përdorur të njëjtën pushkë, ka qëlluar drejt tre personave – një djaloshi 22-vjeçar dhe dy të miturve të moshës 15 dhe 16 vjeç. Më pas, gjatë përpjekjes për të ikur, afër fshatit Vasharejcë ka tentuar të qëllojë edhe ndaj oficerëve të policisë, por nuk ka arritur. Policia ka reaguar duke e qëlluar në këmbë, pas çka ai është arrestuar. Ndaj tij është hapur procedurë dhe hetimet po vazhdojnë.