Kryeministri po rrënon autonominë vendore dhe po shndërron mandatin e katërt në një mekanizëm për kontroll absolut të pushtetit në çdo nivel.
Kryeministri Edi Rama ka hedhur një tjetër hap drejt konsolidimit të një sistemi autoritar, duke urdhëruar hapur shkarkimin masiv të administratorëve të njësive vendore në gjithë vendin. Një vendim i tillë, i shpallur në një mbledhje me kryebashkiakët socialistë, është dënuar nga ekspertë dhe opozita si një sulm frontal ndaj autonomisë lokale.
Duke iu drejtuar drejtuesve vendorë të zgjedhur nën siglën e PS-së në zgjedhjet e 2023-shit, Rama kërkoi që “të gjithë kryetarët e njësive administrative të shkarkohen”, duke u dhënë mundësinë – sipas tij – të provojnë “aftësitë” në një garë të re. Por në realitet, ky është një manovër politike për të spastruar çdo element që nuk i bindet vijës së tij autoritare.
Ky nuk është rasti i parë që kryeministri vepron në mënyrë të tillë. Ditët e fundit janë evidentuar largime masive drejtuesish në bashki të ndryshme të vendit, gjithmonë me justifikimin e “përmirësimit të shërbimeve”, ndërkohë që përgjegjësia e vërtetë politike fshihet në qendër.
Ekspertët e pushtetit vendor, si Agron Haxhimali nga Instituti për Bashkitë Shqiptare, e kanë cilësuar këtë sjellje si antikushtetuese dhe të rrezikshme. Ai kërkon reagim të menjëhershëm nga shoqatat e bashkive, shoqëria civile dhe institucionet e pavarura për të ndalur këtë rrëshqitje drejt një forme të re monizmi.
Haxhimali thekson se ndërhyrja e ekzekutivit në çështjet administrative lokale përbën një shkelje të drejtpërdrejtë të ndarjes së pushteteve. Ai kërkon që çështja të referohet tek Avokati i Popullit dhe Komisioni Parlamentar për Qeverisjen Vendore, duke kërkuar përgjegjësi institucionale për sjelljet e Ramës.
Shoqata Kombëtare e Bashkive, e dominuar nga kryebashkiakë socialistë, ka heshtur para këtij sulmi politik, ndërsa Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë të opozitës ka denoncuar haptazi këtë “praktikë të papranueshme” që cenon thelbin e funksionimit të pushtetit lokal.
Në një reagim të fortë, kjo shoqatë rikujtoi se Kushtetuta garanton qartësisht autonominë vendore, ndërsa ligji për vetëqeverisjen vendore përshkruan kompetencat dhe mekanizmat e llogaridhënies për administratën lokale. Çdo ndërhyrje nga qeveria qendrore në këto procese është antikushtetuese.
Kryetari i këshilltarëve të opozitës në Bashkinë e Tiranës, Ilir Alimehmeti, paralajmëron se Rama po përpiqet të grumbullojë çdo pushtet në duart e tij. “Po centralizon shtetin, në kundërshtim me ligjin dhe me çdo standard demokratik,” u shpreh ai, duke e akuzuar kryeministrin për kapje të shtetit me ndihmën e kryebashkiakëve të PS-së.
Alimehmeti shton se bindja pa kushte e kryebashkiakëve ndaj urdhrave verbalë të Ramës është alarmante dhe përbën tradhti ndaj kompetencave të tyre të garantuara me ligj.
Gjatë së njëjtës mbledhje, Rama kritikoi hapur ndërmarrjet e ujësjellësve në varësi të bashkive dhe paralajmëroi se do t’i kalojë ato në varësi të pushtetit qendror. Ky qëndrim përbën një përpjekje tjetër për të zhveshur bashkitë nga kompetencat e tyre, duke e zhbërë tërësisht reformën e decentralizimit të ndërmarrë vetëm dy vite më parë.
Haxhimali theksoi se kjo sjellje është në kundërshtim me çdo frymë të vetëqeverisjes vendore dhe rrëzon logjikën e reformës për rajonalizimin e ndërmarrjeve, që kishte për qëllim forcimin e kapaciteteve vendore. Në vend të forcimit të autonomisë, Rama po vendos kontroll total dhe po shtyn vendin drejt një diktature të re nën emrin e një demokracie që po zbrazet dita-ditës nga përmbajtja e saj.