Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj konkursit të fundit të shpallur nga Ministria e Bujqësisë, duke denoncuar përjashtimin e plotë të shqiptarëve nga pozitat drejtuese dhe këshilluese në këtë institucion.
Sipas reagimit të BDI-së, në listën e të emëruarve nuk figuron asnjë shqiptar, ndërsa të gjitha pozitat nga këshilltarët shtetërorë deri te udhëheqësit e njësive janë zënë nga kandidatë të përkatësisë jo-shqiptare. “Rezultati është i qartë: 10 me 0”, thuhet në deklaratë.
“Ky është vetëm një episod i radhës në planin sistematik të përjashtimit të shqiptarëve nga institucionet publike, një plan i konceptuar që nga viti 2022 nga partitë dhe oligarkia maqedonase, dhe që po zbatohet përmes mekanizmave administrativë, politikë e kushtetues,” vijon reagimi i partisë.
BDI shpreh shqetësimin se diskriminimi ndaj shqiptarëve ka marrë formë institucionale dhe synon të dobësojë pozitën e tyre si faktor shtetformues. Partia përmend si shembuj të këtij trendi të rrezikshëm edhe përpjekjet për shfuqizimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, sulmet ndaj përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, si dhe vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese, të cilat – sipas tyre – po minojnë themelet e Marrëveshjes së Ohrit.
“Në emër të ‘profesionalizmit’ dhe ‘kompetencës’ po fshihet një spastrim etnik i heshtur nga institucionet. Shqiptarët nuk po përjashtohen për mungesë vlerash, por për shkak të përkatësisë së tyre etnike,” thuhet më tej në deklaratë.
BDI paralajmëron se do të vazhdojë të denoncojë publikisht çdo formë të diskriminimit dhe do të qëndrojë në mbrojtje të barazisë, drejtësisë dhe përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve në të gjitha nivelet shtetërore.