Mëngjesin e sotëm, tre helikopterë janë angazhuar në shuarjen e zjarrit në territorin e Komunës së Çuçer-Sandevës, në fshatrat Çuçer dhe Bllacë, njoftuan nga Qendra për Menaxhim me Kriza.
“Në shuarjen e zjarrit janë angazhuar edhe forcat e njësive të zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit, ndërmarrja komunale dhe një ekip i Kryqit të Kuq me një rezervuar uji nga i cili helikopterët mbushin ujë”, thuhet në njoftim.
Dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një bisht cigareje ose është vënë qëllimisht.
“Sipas asaj që pashë personalisht, ky zjarr shpërtheu pranë rrugës magjistrale për Bllacë dhe arsye e mundshme është hedhja e një bishti cigaresh nga një automjet në lëvizje ose djegie e qëllimshme. Prandaj, apelojmë tek qytetarët të sillen me ndërgjegje dhe kurrë të mos hedhin bishta cigaresh jashtë automjetit, edhe kur janë të bindur se janë të fikur,” deklaroi drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angelov.
Qendra informon gjithashtu se mëngjesin e sotëm janë aktive katër zjarre. Përveç këtij në Komunën Çuçer-Sandevë, zjarre aktive ka edhe në fshatin Beshisht afër Prilepit, më tej në Komunën e Brodit Maqedonas – në fshatin Çreshnevo, si dhe nën majën Solunska Glava në Komunën Çashka.