“Gostivari po përjeton transformim të përditshëm falë investimeve të reja infrastrukturore. Një nga projektet më të rëndësishme që po realizohet me ritëm të shpejtë është ndërtimi i bulevardit “Vëllezërit Gjinovski”, i cili po financohet me 64 milionë denarë të ndara nga Qeveria, përmes përkushtimit dhe angazhimit të koalicionit VLEN”, thotë deputetja nga Gostivari, nga radhët e koalicionit VLEN.
Deputetja Saranda Imeri Stafai, ka theksuar se ky investim nuk është luks, por një nevojë jetike për qytetarët e Gostivarit.
Sipas saj, bulevardi do të sjellë infrastrukturë moderne, qasje urbane të avancuar dhe mbi të gjitha, do të përmirësojë sigurinë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion.
“VLEN nuk rri, VLEN punon. Kjo është dëshmi e qartë se me përkushtim dhe vizion të qartë, po e bëjmë realitet zhvillimin që qytetarët meritojnë”, deklaroi Imeri Stafai.
Bulevardi i ri pritet të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin urban, të hapë mundësi të reja zhvillimi dhe të rrisë standardin e jetesës për banorët e zonës.
Projekti është pjesë e strategjisë së gjerë për modernizimin e infrastrukturës së qytetit, ku Qeveria luan rol kyç realizimin e projektit.