Vlenizmi i Hiseve të Kazinove (Pjesa VI) – Lojërat e Fatit Online jo vetëm që nuk u ndaluan, por po legalizohen me Ligj.
Pavarësisht premtimeve të bujshme të grupimit VLEN dhe të qeverisë se do të ndalojnë 100% lojërat e fatit online, kjo nuk ndodhi gjatë vitit të parë të qeverisjes dhe, në bazë të projektligjit aktual, nuk do të ndodhë as në të ardhmen. E vërteta është se projektligji i ri për Lojërat e Fatit, i cili po përgatitet nga Ministria e Financave me miratim të VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it, jo vetëm që nuk synon ndalimin, por e garanton funksionimin dhe legalizimin e tyre, duke u shndërruar në një mbështetje ligjore për operatorët ekzistues dhe të rinj.
Sipas dispozitave të përgjithshme të projektligjit, licencat për lojërat online do të jepen për një periudhë 6-vjeçare, njëjtë si më parë – duke dëshmuar qartë se, përkundër retorikës publike, nuk ka vullnet për ndalim të këtyre aktiviteteve.
Për më tepër, ligji nuk përmban masa të forta mbrojtëse për qytetarët: nuk ka mekanizma të pavarur ankimi për vendimet e autoriteteve, nuk ka afat të përcaktuar për shqyrtimin e aplikimeve për licencë, lejohet revokimi arbitrar i licencave pa të drejtë për rishqyrtim të drejtë, si dhe mungojnë masa të qarta për verifikimin efektiv të moshës dhe për përjashtimin e personave me varësi të diagnostikuar.
Nuk ka garanci për mbrojtjen e të dhënave personale, përfshirë afatin e ruajtjes së tyre, të drejtën për fshirje apo transferim të të dhënave, si dhe ndalimin e ndarjes së të dhënave me palë të treta.
Në vend të ndalimit, po krijohet një sistem që monopolizon tregun dhe favorizon kompani të lidhura me pushtetin, në shumë raste në pronësi të fshehur të njerëzve të afërt me qeveritarët, dhe kjo është dhurata e VLEN-it për shqiptarët.
Aleanca për Shqiptarët shpreh zhgënjim të thellë për këtë dështim të VLEN-it për të përmbushur një nga zotimet më të rëndësishme ndaj qytetarëve. Në vend të ndalimit të lojërave të fatit online – siç u premtua publikisht – qytetarët sot përballen me rrezik më të madh të ekspozimit të fëmijëve, mungesë transparence dhe rritje të varësisë sociale e ekonomike përmes një sektori që po mbrohet me ligj, dhe që duket se VLEN-i po merr hisen e vet.
Premtimi i VLEN-it për ndalimin e këtyre lojërave ka rezultuar të jetë një mashtrim elektoral, dhe qytetarët kanë të drejtë të ndihen të tradhtuar dhe të zhgënjyer.
Aleanca për Shqiptarët